Të hënën ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë ndaj Çedomir Aksiq, raporton Ekonomia Online. Ai akuzohet për krime lufte, përfshirë pjesëmarrjen në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut.
Prokurorja Habibe Salihu tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim të sigurimit të prezencës së Aksiqit.
Sipas saj, Aksiq është i lindur në Shtime, por që adresë aktuale ka fshatin Naupare të Krushevcit në Serbi.
“Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë. Kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij, kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi marrë përgjigje përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij”.
“Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj, me qëllim qe të njoftohet ai, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj. Kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet kohore, kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë. Po ashtu duke vepruar sipas procedurave kemi bërë shpallje publike në gazetën zyrtare për aktakuzën dhe mbajtjen e kësaj seance”.
“Si prokurore e kësaj çështje kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim qe të sigurohet i pandehuri, bë pamundësi të sigurimit të prezencës të tij”.
Përderisa gjyqtarja Violeta Namani tha se janë plotësuar kushtet që të fillojë gjykimi në mungesë.
“Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit pasi që janë plotësuar kushtet ligjore. I akuzuari do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gajiq gjatë tërë kësaj kohe”.
Sipas aktakuzës i akuzuari Çedomir Aksiq, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak, të Komunës së Shtimes, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminalë (tani për tani të paidentifikuar), grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçante civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë..
Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale i ka ngritur gjithsej gjashtë aktakuza ndaj personave të dyshuar për krime lufte.