Gjatë ceremonisë së inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Mramor, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se është prioritet i Qeverisë që të inaugurohen projekte të tilla.
Sipas Llukës, në Kosovë deri tash trajtohen vetëm 2% e ujërave të zeza, raporton Ekonomia Online.
“Për ne si Ministri, trajtimi i ujërave të zeza është prioritet në Kosovë. Vetëm 2% të ujërave të zeza trajtohen. Së fundi është vendosur gurthemeli në Gjakovë dhe besoj që të gjitha qytetet do ta kenë dhe do të trajtohen 80% e ujërave. Ky projekt është në vlerë prej 700 mijë euro, vetëm impianti. Projektet si ky janë vetëm pionier i projekteve të mëdha”.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, tha se ndihma e Çekisë për projekte të tilla është e mirëseardhur, ndërkaq u shpreh falënderues për ndihmën e dhënë, raporton Ekonomia Online.
“E falënderoj popullin e Çekisë. Ky është një projekt i një rëndësie të veçantë dhe shumë i rëndësishëm për banorët e Prishtinës”.
Ambasadori i Çekisë, Ivo Silhavy, tha se një projekt i tillë do të ndihmojë qytetarët e vendit që të kenë ujë më cilësor, raporton EO.
“Për ne dhe për njerëzit e Kosovës është projekt i veçantë. Është projekt i rëndësishëm për ujin e pijshëm që marrin njerëzit e Kosovës. Jam i lumtur që qeveria e Çekisë mund ta ndihmojë Kosovën në një projekt të tillë. Një biznesmen çek ka thënë se kosovarët janë të besueshëm dhe bashkëpunojnë, kështu që ftoj edhe biznesmenët tjerë të investojnë në Kosovë”, tha ai.
Ilir Abdullahu, drejtor i ujësjellësit rajonal të Prishtinës, tha se projekti është i rëndësishëm dhe i një teknologjie të avancuar.
“Kjo është një impiant i një rëndësie të veçantë. Ky është impianti i dytë pas impiantit të Harilaqit. Jam i kënaqur qe do ta marim nën menaxhim, sepse është impiant i një teknologjie të lartë. Shpresojmë që do të kemi edhe shumë impiante të tjera që do të ofrojnë ujë më cilësor për qytetarët”.
Impianti është investim i Republikës Çeke dhe është në vlerë prej 700 mijë euro. Ky është impianti i dytë në Prishtinë pas atij në Harilaq.