Çekia nuk do të pranojë refugjatë

Prishtinë | 16 Pri 2017 | 14:22 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Çekisë, Milan Chovanec deklaroi se Çekia nuk do të pranojë refugjatë në kuadër të sistemit të kuotës, që dëshiron ta aplikojë Bashkimi Evropian (BE), për shpërndarjen e refugjatëve në mes të shteteve anëtare.

Në një deklaratë për gazetën ‘Pravo’, ministri Chovanec ka theksuar se shteti i tij nuk do të pranojë refugjatë në kuadër të sistemit të kuotës së refugjatëve të BE-së. “Edhe në qoftë se BE-ja kërcënon me sanksione ekonomike, Çekia nuk planifikon të pranojë refugjatë në kuadër të kuotës së detyruar”, tha Chovanec.

Duke vënë në dukje se shteti i tij deri më tani ka pranuar 12 refugjatë prej 1.600 të tyre, por që nuk do ta plotësojë numrin e mbetur, Chovanec tha se si rezultat i ekzaminimit të sigurisë kombëtare është marrë vendimi që për asnjërin prej refugjatëve të tjerë të mos lejohet vendosja në Çeki.

Këshilli i Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të BE-së, në muajin shtator të vitit 2015, me shumicë të votave kishte pranuar propozimin për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve tek shtetet anëtare me sistemin e kuotës, edhe pse atë e kishin kundërshtuar shtetet si Sllovakia, Çekia, Rumania dhe Hungaria.

Sllovakia dhe Hungaria kishte hapur padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për anulimin e vendimit të shpërndarjes së 120 mijë refugjatëve me sistemin e kuotës në shtetet anëtare të BE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme