Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, me ftesë të Këshillit Atlantik të Kroacisë, po merr pjesë në konferencën , ’’Zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor’’, e cila po mbahet në Zagreb.
Qëllimi i konferencës është shkëmbimi ideve dhe përvojave ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe atyre që po përgatiten për t’u anëtarësuar në NATO.
Në punimet e konferencës ’’Zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor’’ po marrin pjesë personalitete të shumta politike dhe ushtarake nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat merren me këtë problematikë, nivel ministrash nga Kroacia, Mali i Zi dhe nga shtetet tjera.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në seanca plenare, me diskutime dhe prezantime të temave nga pjesëmarrësit e ftuar si personalitet politike, ushtarake dhe të shoqërisë civile nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.