Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku priti në takim nxënësit e ekipit përfaqësues të Kosovës, fitues të medaljeve në Olimpiadën Botërore të Matematikës të mbajtur në Frankfurt të Gjermanisë.
Sipas njoftimit, nxënësit morën pjesë në këtë garë të gjerë ndërkombëtare, në mesin e mbi 20 mijë nxënës nga 173 shtete të botës. Nga tetë nxënës pjesëmarrës të Kosovës, secili prej tyre arriti të fitojë të paktën dy medalje.
“Gjatë takimit, ministri i përgëzoi nxënësit për angazhimin, përfaqësimin, përkushtimin dhe suksesin e arritur, duke vlerësuar se këto rezultate janë dëshmi e potencialit dhe talentit që kanë të rinjtë e Kosovës në fushën e shkencës dhe matematikës”, thuhet në komunikatë.
Nxënësit falënderuan ministrin Çeku për mikpritjen, urimet dhe për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa ndanë përvojat nga pjesëmarrja në këtë olimpiadë.