Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për sallën koncertale (Qendrën multi-funksionale) të Prishtinës, tha se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për zbatimin e projektit.
Ai tha se Ministria ka mbështetur me 800 mijë euro Komunën e Prishtinës dhe tha se janë të gatshëm ta mbështesin edhe më tutje, sipas kërkesës së tyre.
“Për hartimin e projektit zbatues, komunën e Prishtinës e kemi mbështetur me 800 mijë euro. Në buxhetin e ri, kemi ndarë 10 milionë euro, si dëshmi e gatishmërisë sonë për bashkëfinancim. Jemi të gatshëm për ta mbështetur komunën e Prishtinës edhe më tutje, sipas kërkesës së tyre”.
Duke thënë se “mjaft kohë është humbur”, ministri Çeku tha se është “koha për të vepruar dhe jetësuar këtë projekt me rëndësi jetike për komunitetin artistik të kryeqytetit”.