Çelaj: Parandalimi i terrorizmit detyrë urgjente për Qeverinë e Kosovës

Prishtinë | 06 Nën 2016 | 09:56 | Nga

Zëvendësministri Lirak Çelaj, në Pejë, mori pjesë në punimet e Grupit punues qeveritar për vlerësimin vjetor të implementimit të strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Gjatë qëndrimit në Pejë zhvilloi takim, grupi punues qeveritar për vlerësimin vjetor të Implementimit të Strategjisë për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Çelaj e konsideron këtë çështje si njërën nga detyrat dhe përgjegjësit më urgjente jo vetëm të Ministrisë së Drejtësisë por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ekstremizmi dhe radikalizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm, sot, përbëjnë njërin nga kërcënimet më të theksuara ndaj sigurisë globale, jetës njerëzore dhe paqes demokratike. Rreziku është bërë global. Asnjë vend nuk mund të jetë imun nga potencialet për shkatërrim që bartë kjo sfidë”, është shprehur Çelaj.

Ai vuri në dukje rrezikun nga terrorizmi, ideologji kjo që mund të jetë shkatërrimtare për të rinjtë sepse ata, mund të bien pre e dhunës vrastare që frymëzohet nga këto ideologji ekstreme. Ai më tej foli për burimet e kësaj doktrine si dhe rreziku nga ekstremizmi dhe idetë që janë kundërshtare të vlerave fondamentale liberale.

“Janë këto ide që në mënyrë aktive promovojnë diskriminimin, sektarizmin dhe segregimin. Po ashtu, ai bazohet në ato ide që kanë për qëllim të afirmojnë vetëm një identitet kundrejt të drejtave dhe lirive të të tjerëve”, thotë Çelaj.

Të vetëdijshëm për peshën që paraqet ky kërcënim edhe për shtetin, Republika e Kosovës është angazhuar në mënyrë permanente dhe shumë aktive për të arritur minimizimin dhe eliminimin e plotë të pasojave fatale nga ky kërcënim, tashmë global duke marrë hapa konkret në aspektin legjislativ, ekzekutiv dhe duke u rreshtuar dhe koordinuar me aleancën e vendeve perëndimore kundër terrorizmit global.

Çelaj thotë se Kosova ka hartuar strategji përmes të cilës do të koordinohen masat në forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe shoqërisë ndaj kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm duke qenë së bashku me miqtë dhe aleatët e Republikës së Kosovës në mbarë botën, të cilët janë duke u përballur me këtë kërcënim të përbashkët.

“Përmes realizimit të kësaj strategjie dhe objektivave strategjik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim që të parandalojë dhe zvogëlojë rrezikun nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Ministria e Drejtësisë krahas mandatit të saj dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare ka ndërmarrë disa veprime si pjesë e planit për de –radikalizëm, objektiva këto që dalin si nga strategjia ashtu edhe nga plani i veprimit”, shprehet ai.

Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës përpos trajnimit specifik të stafit të shërbimit korrektues është në prag të nënshkrimit te Memorandumit me Bashkësinë Islame të Kosovës për përzgjedhjen e imamëve dhe përcaktimin e ligjëratave në përputhshmëri me Kushtetutën e BIK, që të evitohen ligjëratat dhe literatura nga rrymat ekstreme.

“Kemi refuzuar të bëjmë kompromise me parimet dhe standardet demokratike në kohërat më të vështira. Asnjëherë nuk jemi përkulur para frikës, urrejtjes apo terrorit. Prandaj nuk do ta bëjmë as tani. I qëndrojmë besnikë parimeve demokratike, paqes dhe tolerancës ndër fetare, si shoqëri do ta tejkalojmë këtë kërcënim. Jemi shembull se si jetohet e veprohet në harmoni me njëri tjetrin”, theksoi Çelaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme