Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Lirak Çelaj, pësoi disfatë të rëndë në zgjedhjet lokale të mbajtura dje. Çelaj u rendit në pozitën e katërt për kryetar të komunës së Prishtinës duke marrë 4 mijë e 610 vota, apo 5,86 për qind të votave. Deri më tani janë numëruar mbi 90 për qind të votave. Çelaj thotë se PDK-ja do të vendosë se kë do ta mbështesë në balotazh, por vetë Çelaj e preferon Abrashin.
E i dëshpëruar me rezultatin po shprehet vetë Lirak Çelaj. Në një prononcim për Gazetën Express, një ditë pas zgjedhjeve të 22 tetorit, ai ka thënë se nuk e ka pritur një rezultat të tillë, ndonëse, sipas tij, gara për Prishtinën ka qenë e vështirë. Por, pavarësisht kësaj, Çelaj është shprehur se programi i tij për Prishtinën është më i miri.
“Natyrisht që nuk jam shumë i kënaqur. Unë kam qenë i vetëdijshëm që po hyj në një garë të vështirë me një atmosferë shumë të vështirë. Shpresoj që programi im ka kontribuar sadopak për nxitjen e dialogut për të ardhmen e Prishtinës. Besoj që e kam pasur një program shumë të mirë, më i miri dhe më i realizueshmi”, ka thënë Çelaj.
Megjithëkëtë, kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja Lirak Çelaj, shpreh preferencat e tij se Arban Abrashi nga LDK-ja duhet të qeverisë me kryeqytetin.
Ai thotë se Shpend Ahmeti nuk duhet ta ketë edhe me një mandat tjetër.
“Unë personalisht nuk jam që të fitojë VV-ja, sepse unë e kam pa qeverisjen tyre dhe është gjynah për Prishtinën që të vazhdojë ky krim. Edhe LDK në të kaluarën ka qenë po ashtu keq, por me shpresën që Arbani meqenëse është djalë i ri, më i pastër dhe mund të ndryshojë diçka. Për balotazh vendosë subjekti, unë e thash preferencën time personale. Personalisht jam kundër Shpendit. Lufta është shumë e ngushtë por unë do të dëshiroja që në këtë rast të fitojë LDK’ja”, ka thënë Qelaj të hënën për Express.