Bersant Celina ka luajtur në vetëm një ndeshje të Kosovës në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Por me formën që po kalon, sulmuesi 22-vjeçar i krahut po imponohet te përzgjedhësi Bernard Challandes para sfidave të shumta që e presin Kosovën këtë vit.
Kosova më 21 mars luan miqësore me Danimarkën, ndërsa prej 25 marsit nis sfidat eliminatore për Euro 2020. Ndeshjen e parë e luan ndaj Bullgarisë, shkruan Koha Ditore.
Celina kishte luajtur 69 minuta ndaj Azerbajxhanit më 7 shtator në barazimin pa gola. Më pas qëndroi në stol në ndeshjen me Ishujt Faroe, kurse në katër sfidat e fundit, për arsye të ndryshme, nuk u grumbullua.
Ai po kalon formë të lartë te skuadra uellsiane, Swansea City. Të dielën Swansea fitoi 4:1 ndaj Brentfordit, në kuadër të FA Cup të Anglisë. Celina në këtë sfidë shënoi një gol të bukur, pas shpërthimit nga krahu i majtë dhe po ashtu ishte përgjegjës për dy gola të tjerë. Në të parin, portieri shënoi autogol, pasi topi i goditur nga Celina qëlloi shtyllën dhe prej kokës së portierit u fut në portë. Goli i fundit i ndeshjes u shënua pas një topi të dëbuar nga portieri, pas goditjes së kosovarit. Celina kishte shënuar një gol edhe në ndeshjen e kaluar për FA Cup, kurse në kategorinë e dytë angleze i ka shënuar katër gola e katër asistime në 29 paraqitje.