Komuna e Vitisë përballet me mungesë objektesh për strehimin ditor të fëmijëve. Komuna gjatë 19 vjetëve nuk e ka ndërtuar asnjë çerdhe. E vetmja çerdhe publike, me kapacitet për 80 fëmijë “Gëzimi ynë”, aktualisht i është nënshtruar procesit të rinovimit, për shkak të vjetërsisë së objektit.
Mungesa e çerdheve ka bërë që një numër i madh prindërish në këtë komunë të mos mundë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në institucionin parashkollor. Kurse qeverisja lokale deri tashti nuk ka bërë adresim të problemit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, deklaron se Komuna synon rritjen e numrit të çerdheve publike në këtë komunë dhe se planifikojnë që Shkolla Fillore e fshatit Çifllak, që ka një numër të vogël të nxënësve, të shndërrohet në çerdhe fëmijësh.
Mirëpo kryetari i kësaj komune vetëm se ka ripërsëritur një ide të cilën e kishte dhënë Drejtoria e Arsimit që në vitin 2015. Haliti deklaron se ka pak mjete buxhetore për investime kapitale dhe se është duke u munduar që t’i mbulojë të gjitha nevojat e komunitetit.