Çështja e migracionit është në krye të agjendës së liderëve të Bashkimit Evropian, që mblidhen sot në Bruksel.
“Si të trajtohen migrantët pa dokumente, kryesisht afrikanë, të cilët vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre në Mesdhe, me shpresën për të filluar një jetë të re në BE?” – do të jetë tema kryesore në këtë samit.
Fluksi i migrantëve përfshin refugjatë që ikin nga lufta e Sirisë dhe konflikte të tjera.
Kriza nuk është e shkallës që ka qenë në vitin 2015, kur mbi një milion njerëz kanë hyrë në Evropë.
Por, mosmarrëveshjet e këtij muaji rreth anijeve të shpëtimit të migrantëve, të cilat autoritetet italiane nuk i lejuan të ankorohen në portet e tyre, e rikthyen çështjen në qendër të vëmendjes.
Anija Lifeline, me 230 njerëz në bord, ka mbetur në det të hapur për pesë ditë.
Ajo u lejua të ankorohet në Maltë vetëm pas diplomacisë intensive midis disa shteteve të BE-së, të cilat ranë dakord për shpërndarjen e migrantëve, për t’i lehtësuar barrën Maltës.