Vite më parë, tregtia globale ishte në prag të kolapsit nga dëmet e shkaktuara gjatë pandemisë, dëme këto që paralizuan pothuajse të gjithë zinxhirin tregtar të të gjitha industrive, e veçanërisht atë të turizmit ndërkombëtar.
Mund të rikujtojmë momentet kur të gjitha fluturimet u pezulluan pasi linjat ajrore e ndërprenë punën për shkak të masave kufizuese, të cilat zgjatën për më shumë se një vit.
Fatmirësisht ato skena tashmë janë larg pas nesh, ndërkohë që të dhënat tregojnë qartë se turizmi jo vetëm që po rikthehet, por është duke tejkaluar çdo pritshmëri nga projeksionet e zymta që ato ditë qarkullonin lidhur me këtë industri.
Ndërsa sot, jo vetëm që linjat ajrore u rikthyen fuqishëm por të dhënat nga IATA tregojnë se fluturimet globale pritet të arrijnë rekorde të reja këtë vit, me rreth 40 milionë fluturime brenda një viti kalendarik, një arritje e jashtëzakonshme për këtë sektor.
Në fakt, rimëkëmbja e kompanive ajrore është aq bindëse sa që Wizz Air-i hungarez së fundmi befasoi shumëkënd me një ofertë promovuese, së cilës nuk i rezistuan 10,000 individë. Oferta në fjalë e njohur si ‘all you can fly’, u shit brenda 24 orëve.
Por çfarë fshihet në të vërtetë pas promocionit viral nga Wizz-Air?
Mos vallë është një truk marketingu, apo vërtet është një ofertë që vështirë i thuhet JO.
Para se të hyjmë në avantazhet dhe disavantazhet e ofertës në fjalë, vlen të theksohet se Wizz-i është duke kaluar nëpër vështiresi financiare të shkaktuara nga problemet teknike të avionëve Boing, të cilët përbëjnë rreth 25% të flotës së përgjithshme të kompanisë.
Jo rastësisht kemi intinerarin e stërmbushur me vonesa dhe shtyrje të fluturimeve, ndërsa konkurrenca nga kompanitë e tjera ‘low cost’ ka bërë që Wizz-i të humbasë konsumatorin dhe të reduktojë fluturimet transoqeanike, e tëra kjo ka reflektuar dukshëm edhe tek luhatjet e aksioneve në treg.
Megjithatë, nëse flasim nga pikepamja e konsumatorit atëherë mundësia për të marrë një fluturim që mbulon 53 destinacione globale për një periudhë 1 vjeçare, me një çmim prej vetëm 499 eurosh, mund të konsiderohet një ëndërr e çdo turisti kurioz dhe jo vetëm.
Për sa kohë që Wizz Air vazhdon të operojë dhe fluturimet drejt destinacioneve ekzotike përfshihen në çmimet e ofertave, atëherë nuk na mbetet tjeter pos ta komplimentojmë departamentin e marketingut, i cili ka bërë një punë fenomenale pasi promocioni ka tejkaluar pritshmëritë dhe është bërë viral.
Megjithatë, këto oferta nuk janë pa risqe dhe ato zakonisht vijnë me kufizime.
Si për shembull, oferta ka një kosto shtesë për rezervimin përfundimtar, ose për çdo fluturim abonuesi duhet të paguajë 10 euro shtesë, që do të thotë se nëse i kemi planifikuar 30 fluturime gjatë vitit, atëherë nga buxheti ynë duhet të ndahen 300 euro shtesë.
Ndërsa rezervimi mund të bëhet vetëm 72 orë para nisjes, me fjalë tjera, nëse nuk ka vende të lira 72 orë para nisjes, atëherë ne s’do udhëtojmë fare, pamvarësisht faktit që jemi abonentë.
Kjo mund të tingëllojë absurde por hipotetikisht gjasat janë që parapaguesi i ofertës mund të mos kap as edhe një fluturim gjatë tërë vitit, dhe ky është risku kryesor që duhet pas parasysh përpara se të abonohemi tek oferta e rradhës.
Si përfundim, vlen te theksohet se avantazhet janë më të mëdha se sa disavantazhet, sepse oferta ka një cmim tejet të volitshëm dhe përfshinë destinacione të shumta.
Ndërsa për ne mbetet vetëm të planifikojmë destinacionin e rradhës, dhe nëse kemi një punë me orar fleksibil apo vet puna jonë përshinë udhëtimet e shpeshta, atëherë jemi në një situatë të volitshme, apo ‘win-win’.
Jo rastësisht thuhet se ‘ për të përfituar, ne duhet sakrifikuar komfort zonën tonë’ dhe me këtë pako ne mund të perfitojmë duke udhëtuar, punuar, dhe kursyer në fund, sic po bëjnë tash e sa vite personat që punën e bëjnë në lëvizje, ndryshe të njohur si ‘nomadët digjital’.
Dukuri kjo e shfaqur gjatë pandemisë e cila po shëndrohet në një trend global, dhe këtu hyn rëndësia e kësaj analize dhe domosdoshmëria e pakos ‘all you can fly’.