Tema e parajsave të taksave është kthyer në faqet e para të gazetave anembanë botës, për shkak të skandalit të Paradise Papers.
Se çfarë janë, kjo është e lehtë për t’u kuptuar dhe për të nxjerrë përfundimin: ato janë vende, shpesh nën sovranitetin e një shteti më të madh, ku taksat janë shumë të ulëta ose nuk ekzistojnë fare dhe ligjet tatimore janë shumë të lehtë.
Por historia e parajsave të taksave është shumë e lashtë, siç është edhe ajo e vetë taksave, shkruan Bota.al
Kur kanë lindur?
“Ngahera qytetarët më të pasur janë përpjekur të gjejnë një rrugë largimi nga pagimi i taksave. Në periudhën e fundit të Perandorisë Romake, shumë njerëz preferuan të bëheshin subjekte të mbretërive barbare, për t’i shpëtuar sistemit tatimor të Romës.
Por e para “strehë tatimore” e botës moderne ishte Amerika.
Shumë historianë pranojnë se shumë baballarë të pelegrinëve (themeluesit e kolonive të Amerikës së Veriut në shekullin e gjashtëmbëdhjetë) shkuan në Botën e Re për t’i shpëtuar taksave angleze dhe jo vetëm për arsye fetare dhe politike”, shpjegon Giuseppe Marino, profesor i Ligjit Tatimor në Universitetin Shtetëror dhe në Bocconi të Milanos, autor i “Parajsa dhe paradokse fiskale”.