Lojërat e fatit: Jemi shndërruar në gjueti shtrigash nga shteti

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 09:56 | Nga

Shoqata e Lojërave të Fatit përmes një komunikate ka shprehur pakënaqësitë me trajtimin institucional ndaj bizneseve të lojërave të fatit.

Kjo shoqatë ka shprehur shqetësimin për tendencën e vazhdueshme të trajtimit jokorrekt dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese për një ekonomi të tregut të lirë, sidomos me sulmet e vazhdueshme që bëhen në emër të implementimin e Ligjit nr.04/L-080 për Lojërat e Fatit, nxjerrjes së udhëzimeve dhe vendimeve plotësisht në kundërshtim me këtë ligj, si dhe me ligjet tjera.

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar rishikim të Ligjit për Lojërat të Fatit, organizimit të tyre, taksave të vendosura si dhe trajtimit nga institucionet e shumta, ku jo rrallë herë jemi shndërruar në gjueti shtrigash nga të gjitha nivelet e pushtetit”.

“Kërkesat tona pothuajse plotësisht janë anashkaluar, injoruar dhe të cilat kanë mbetur vetëm tentativë e vullnetit tonë të mirë të bërit biznes, ku nga të cilat kanë ndodhur edhe devijime ligjore për shkak të rrethanave dhe shumë paqartësive ligjore për të cilat janë përgjegjëse institucionet tona sipas këtij ligji”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Lojërave të Fatit, raporton Ekonomia Online.

Më tej theksohet se “edhe pse si anëtare e Odës Ekonomike të Kosovës shqetësimet tona të paraqitura në mënyrë kontinuele jo vetëm që nuk janë marrë parasysh, por është vazhduar trajtimi i njëjtë me tentimin për të nxjerrë udhëzime administrative në kundërshtim të plotë me rregullat dhe obligimet ligjore të Ligjit për Lojërat e Fatit, me trajtim të ligjit sipas dëshirës të institucioneve të nivelit lokal, po ashtu edhe trajtim selektiv nga organet e rendit të shtyrë nga perceptimi negativ, ku me kontrollet dhe aktivitetet e tyre është krijuar vetëm imazh negativ nga të cilat dëmtohen në mënyrë të hapur investimet tona të konsiderueshme”.

Kjo shoqatë kërkon që të respektohen në përpikëri të plotë normat ligjore, njëherit të luftohen ato biznese që bien ndesh me ligjet, por jo të anashkalohen, apo edhe të trajtohen në mënyrë të njëjtë, pothuajse sikurse të jenë biznese ilegale.

“Kjo ka ndikuar negativisht në zhvillimin biznesor të anëtarëve të shoqatës, ku shumat e konsiderueshme që participojmë në Buxhetin e Kosovës nuk merren në konsideratë dhe as nuk vlerësohen në mënyrë pozitive për të bërë të menduar se bizneset tona duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë si tatimpagues, apo edhe si biznese që në kuadër të aktiviteteve tona kemi të punësuar numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë, po ashtu të regjistruar dhe kontribuues në Buxhetin e Kosovës”.

Kjo shoqatë kërkon që në afatin më të shkurtër të përgatiten rregullat ligjore të cilat janë në harmoni edhe me praktikat e vendeve më të zhvilluara, që t’u lejohet të jenë partnerë në konsultimet para hartimit të legjislacionit si dhe të ndërpriten sulmet e vazhdueshme nga të gjitha nivelet institucionale.

“Po krijohet një klimë mosbesimi, si dhe rritje e informalitetit në kundërshtim me dëshirën dhe vullnetin tonë që si shoqatë të zhvillojmë aktivitetet tona biznesore sipas logjikës së shëndoshë, me një ekonomi të tregut, të hapur gjë të cilën na e garantojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

Duke besuar se Qeveria e Kosovës si përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe përkrahjen e politikave zhvillimore do trajtojë me seriozitet dhe konsideratë kërkesat dhe shqetësimet tona”, theksohet në reagimin e Shoqatës së Lojërave të Fatit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme