Numri i personave që po vaksinohen kundër COVID-19 ka rënë së fundmi në vend, derisa një valë e re e COVID-19 po përhapet me shpejtësi në shtete të ndryshme. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk mund t’i penalizojnë personat e pavaksinuar, derisa shprehen se presin që të rritet interesimi për të marrë vaksinën.
Në 13 ditët e fundit në Kosovë janë vaksinuar aq persona sa vaksinoheshin vetëm brenda një dite gjatë muajit shtator. 21 mijë e 970 doza të vaksinës janë administruar nga 4 nëntori e deri më sot, shumë prej tyre te personat që kishin marrë dozën e parë të vaksinës. Ndërsa, më shumë se kaq (22 mijë e 671) ishin administruar vetëm më 15 shtator të këtij viti.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë administruar 2 mijë e 800 doza të vaksinës, dukshëm më pak se që administroheshin gjatë muajve të kaluar.
Në këtë datë, një muaj më parë (16 tetor) ishin administruar 7 mijë e 726 vaksina, ndërsa dy muaj më parë (9 shtator) ishin administruar 20 mijë e 675 vaksina.
Në kohën kur shtete të shumta po ballafaqohen me një valë të re të COVID-19, vaksinimi i qytetarëve është vlerësuar i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit publik.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se kanë siguruar vaksina e kanë krijuar mundësi për vaksinimin e të gjithë qytetarëve mbi moshën 12-vjeçare, përfshirë këtu edhe për personat e huaj që jetojnë në Kosovë.
Zëdhënës për informim në këtë ministri kanë thënë se pasi që vaksinimi nuk është i detyrueshëm me ligj, nuk mund të penalizojnë personat që nuk po vaksinohen, megjithëse sipas tyre, të pavaksinuarit po e penalizojnë veten duke iu ekspozuar rrezikut nga virusi.
“Meqë vaksinimi kundër COVID-19 nuk është proces i detyrueshëm domosdoshmërish me ligj, nuk mund të penalizohen ata që nuk vaksinohen me ndonjë sanksion ligjor, por në anën tjetër u krijohen shumë më tepër mundësi të vaksinuarve për qasje në veprimtari të ndryshme dhe ajo që është më kryesorja të vaksinuarit edhe mbrohen nga sëmundja, shumica, ndërsa rastet që preken dhe që janë të vaksinuar, kanë shumë më tepër mundësi për ta tejkaluar lehtë infeksionin dhe për të evituar shtrimin në spital”, kanë thënë zëdhënës për informim në MSH.
Tutje ata kanë deklaruar se me veprimet e fundit që kanë marrë si ministri, nga heqja e terminëve për t’u vaksinuar, e mundësisë që vaksinën ta marrin edhe fëmijët 12-15 vjeç, presin që të shtohet interesimi për të marrë vaksinën.
“Numri më i madh i qytetarëve janë vaksinuar, ndërsa është krijuar çdo mundësi që të vaksinohen edhe ata që këtë s’e kanë bërë ende, duke siguruar vaksina mjaft, duke hequr terminet, duke vaksinuar përveç në qendra e vaksinimit edhe me ekipe mobile dhe duke mundësuar vaksinimin dhe të fëmijëve prej 12-15 vjeç (me Pfizer) dhe duke u mundësuar edhe atyre që nuk janë shtetas të Kosovës, por që janë në Kosovë të vaksinohen. Kjo pritet të nxis edhe një valë interesimi për t’u vaksinuar drejt arritjes së imunitetit kolektiv”, është thënë nga MSH.
Rënien e numrit të të vaksinuarve e kanë parë me shqetësim infektologë në vend.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se rastet e infektuara me COVID-19 mund të rriten nëse nuk rritet numri i personave të vaksinuar.
“Në javët në vijim ekziston një mundësi e përhapjes dhe rritjes së rasteve. Vaksinimi i qytetarëve duhet të rritet. Është për t’u brengosur pse ka rënë numri i qytetarëve që nuk po shkojnë me bo vaksinimin sikur ishte mëherët. Qytetarët duhet të shkojnë që të bëjnë vaksinimin që përqindja e vaksinimit të jetë më e madhe”, ka thënë ai.
Ndërsa, edhe kryetari i Asociacionit të Komunave në Kosovë, Sazan Ibrahimi, e ka parë si shumë të rëndësishëm vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.
Ai ka thënë për gazetën se i vetmi shpëtim nga ky virus është vaksinimi, andaj edhe sipas tij qytetarët duhet të vaksinohen që vendi të mos regjistroj më raste të infektuara.
“Po shihet që i vetmi shpëtim nga COVID-19 është vaksinimi. Ne bëjmë apel edhe njëherë që personat e pavaksinuar të vaksinohen në mënyrë që t’i afrohemi numrit zero me infektimeve”, ka thënë ai.
Ibrahimi është shprehur se ka ardhur koha që të rishqyrtohen edhe njëherë masat Anti-COVID.
“Ne po mendojmë që ka ardhur koha që niveli qendror t’i rishqyrtoj këto masa edhe njëherë, sepse po shihet që fatmirësisht numri i të infektuarve është në rënie e sipër në mënyrë drastike, edhe numri i fataliteteve ka rëndë dukshëm. Kryesorja është vaksinimi. Nuk është ora policore që jep efekt dhe bartja e maskës por vaksinimi”, ka shtuar ai.
Kujtojmë që së fundmi në Kosovë është përhapur edhe varianti Delta Plus i COVID-19, i cili është vlerësuar si pak më i përhapshëm se ai Delta.
Ndërsa, tashmë një valë e re e COVID-19 ka filluar të përhapet në shumë shtete tjera, të cilat kanë një përqindje më të madhe të popullsisë së vaksinuar.
Andaj është apeluar te qytetarët që të marrin vaksinën e të mbrohen nga virusi.