Mediumi britanik Sunday Express pretendon se Maurizio Sarri dhe Chelsea janë bashkuar në garën për sulmuesin polak të Genoas, Krzysztof Piatek.
23-vjeçari polak ka shënuar 14 gola në 10 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon për klubin dhe kombëtaren e tij.
Ai ka qenë i pandalshëm që kur ka shkuar te Genoa për vetëm 4.5 milion euro dhe paraqitjet e tij të mira ia kanë ngritur çmimin shumë, transmeton Telegrafi.
Mediat italiane raportojnë se çmimi i qendërsulmuesit polak tani është afër 50 milionë euro.
Piatek është lojtari i parë që nga Christian Vieri në Inter në sezonin 2002-03 që arrin të shënojë në secilën prej shtatë ndeshjeve të para në Serie A.
Sipas gazetës angleze, Sarri i ka bërë thirrje Chelseat të shkojë me një ofertë gjatë janarit për Piatekun.
Kjo pasi talenti polak shihet si një zëvendësim ideal për sulmuesin spanjoll Alvaro Morata, i cili nuk po bind me paraqitje.
Megjithatë, ka shumë konkurrencë, sepse Piatek është gjithashtu objektiv i Juventusit, Barcelonës, Interit, Arsenalit, Romës, Bayern Munichut dhe Napolit.