Nga 2-0 Chelsea e ka përmbysur rezultatin kundër Southamptonit për të fituar në fund 3-2, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Pas dy dështimeve me radhë (një humbje dhe një barazim), Chelsea i është rikthyer fitoreve në Premierligë.
“Blutë e Londrës” morën pikët e plota në udhëtim te Southampton, duke triumfuar 3-2.
Ekipi i Antonio Contes ishte duke humbur 2-0 deri në minutën e 70-të. Më pas, me tre gola brenda tetë minutave; Oliver Giroud (70’ dhe 78’) si dhe Eden Hazard (75’) përmbysën rezultatin për t’i marrë pikët e plota në fund.
Kështu, Chelsea tani shkon në kuotën e 60 pikëve, shtatë pikë larg pozitës së tretë dhe të katërt, që dërgojnë në Ligën e Kampionëve.