Christopher Hill konfirmohet si ambasador i ShBA-së në Serbi

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Senati amerikan ka konfirmuar nominimin e diplomatit të karrierës, Christopher Hill si ambasador në Serbi.

Në njoftim bëhet e ditur se konfirmimi i Hill si ambasador fuqiplotë është bërë më 10 mars 2022.

Hill është nominuar nga Presidenti Joe Biden para pesë muajsh dhe do ta zëvendësojë ambasadorin Anthony Godfrey si shef i misionit diplomatik të ShBA-së në Beograd.

Hill ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë amerikane.

Ish-diplomati i pensionuar konsiderohet si një negociator i vështirë dhe këtë status e konfirmoi edhe gjatë periudhës kur ishte i dërguar special për Kosovën në negociatat e vitit 1999 në Rambuje të Francës, i cili luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999, ku ishte pjesë e grupit të njohur si i kontaktit.

Diplomati amerikan shërbeu si ambasador në Irak, Kore, Poloni, Maqedoni e Shqipëri si dhe si ndihmës sekretar shteti për Azinë Lindore dhe Paqësorin dhe si kreu i delegacionit amerikan në bisedimet gjashtë-anëtarëshe për Korenë e Veriut.

Hill ka fituar çmime të shumta përfshirë Çmimin “Robert Fraser” për Negociatat e Paqes dhe Çmimin e Sekretarit të Shtetit për Shërbim të Shquar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme