Ta udhëheqin qeverinë ose do të zgjedhin opozitën. Këto janë dy opsionet e vetme që Lidhja Demokratike e Kosovës i ofron pas rezultateve të 11 qershorit.
Kryeministri në dorëheqje, Isa Mustafa, ekskluzivisht në Rubikon të KTV-së, ka bërë të ditur se në mungesë të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, ku timonin e udhëheqjes e merr LDK-ja, ata shkojnë në opozitë.
E për biseda janë të hapur për të gjithë, përpos Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në asnjë rast”, ka ritheksuar kryeministri në dorëheqje, Isa Mustafa, nuk bën asnjë lloj marrëveshje me PDK-në. LDK-ja nuk ka vota as për Haradinajn e as për Kurtin kryeministër.
Sipas kësaj, Mustafa ka thënë se pas certifikimit të rezultateve, do të jenë të hapur për bisedime, mirëpo, me asnjë kusht që LDK-ja t’i bashkohet ndonjë liste. Aty ku ka PAN, ka thënë Mustafa, nuk mund të ketë asnjë lloj marrëveshje. Ata i quan si fitues të humbjes, nëse, siç thotë ai, ekzistojnë të tillë.