Cilat janë ndikimet pozitive të televizionit në shoqërinë e sotme?

Prishtinë | 14 Sht 2019 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Televizioni ende nuk është një gjë e së kaluarës. Këtë e dëshmon hulumtimi i prezantuar nga Samsungu në panairin IFA 2019. Ai zbulon shumë gjëra interesante në lidhje me përvojën e televizionit në botën e sotme.

57% e evropianëve të anketuar thanë se programi TV i ka nxitur t’i ndryshojnë mendimet për çështjet aktuale sociale siç janë ndryshimi klimatik, varfëria, pabarazia ekonomike dhe diskriminimi, shkruan KOHA Ditore. Për shembull, emisioni i BBC-së Blue Planet i ka inkurajuar shumë njerëz që ta përdorin më pak plastikën njëpërdorimëshe.

Gati tri të katërtat e evropianëve e vlerësojnë TV-në si një nga burimet më të besueshme të lajmeve. Përafërsisht i njëjti numër pohon se televizioni i ka përmirësuar aftësitë e tyre (të mësuarit e ndonjë gjuhe të re, provimi i ndonjë sporti të ri ose vullnetarizmi.)

Gjithashtu, një e katërta e të anketuarve për shkak të TV-së dëshirojnë të udhëtojnë në destinacione të reja të cilat nuk do t’i konsideronin fare si destinacion, ndërsa 38% e të anketuarve janë inkurajuar të provojnë receta të reja nga kulturat e tjera.

Duhet gjithashtu të theksohet se televizioni mbetet një faktor i rëndësishëm i pushimit. Një e katërta e përdoruesve thonë se shikimi i televizionit kontribuon në mirëqenien e tyre të përgjithshme mendore, ndërsa një e treta e të anketuarve thonë se është mënyra e tyre kryesore e relaksimit.

Hulumtimi tregon gjithashtu se televizioni është ende një përvojë e qenësishme shoqërore, ndërsa gjysma e përdoruesve e konsiderojnë kohën e kaluar së bashku duke e shikuar TV-në si kohë familjare të shfrytëzuar në mënyrë cilësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme