Cilat janë profesionet që pritet të paguhen më shumë në vitin 2023 në Kosovë?

Prishtinë | 02 Kor 2024 | 08:51 | Nga Erald Pashaj

Çmimi i punës ndryshon çdo vit, në fakt siç ndryshojnë edhe çmimet e produkteve në treg, ndryshon edhe çmimi i punës. Ka periudha gjatë të cilave luhatshmëria në ekonomi është e ulët dhe për pasojë edhe çmimet e produkteve dhe pagat janë më të qëndrueshme ose me ndryshime të vogla.

Por, ka momente kur ekonomia është shumë dinamike, inflacioni është i lartë ose rritja ekonomike e shpejtë, apo ka kërkesë të lartë për punonjës të një sektori që është në boom apo të disa sektorëve njëkohësisht, por ka edhe tkurrje të ofertës së punës, sepse një pjesë aktive e forcës se punës largohet jashtë vendit apo nuk preferon të punojë më në profile të caktuara, etj.

Kur të gjithë këta faktorë takohen në një periudhë të caktuar, një apo dy vite bashkë, por edhe në një vit të vetëm, atëherë edhe ndryshimet janë shumë të larta dhe të paparashikueshme, gjë që ne e përjetuam në vitin 2021 – 2022 dhe që do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023. Rezultate pozitive në ekonomi në Kosovë, dhe për pasojë edhe në punësim, do të ketë në momentin kur të arrihet një marrëveshje politike me Serbinë, e cila do ta rriste optimizmin e investitorëve vendas dhe të huaj për investime dhe për hapje cilësore të qëndrueshme vendesh pune.

Viti 2023 do të shënojë rritje maksimale për tri kategori: 1) Punonjës të pakualifikuar, 2) Teknik/Mjeshtër dhe 3) Inxhinier, ku ndërtimtaria do të japë maksimumin e pagave për të tërhequr dhe mbajtur forcën e punës.

Si çdo produkt tjetër, edhe çmimi i punës është rezultat i kërkesës dhe ofertës për punë. Faktori kryesor që e ndikon çmimin e punës, e thënë ndryshe pagën, është kërkesa dhe oferta për një profil të caktuar ose punë të ngjashme brenda të njëjtës familje. Natyrisht që përveç kërkesë-ofertës ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në pagën e gjithsecilit nga ne, p.sh. performanca, specializimi në një aspekt të caktuar, marrëdhëniet, etj., por në radhë të parë është tregu i punës për një pozicion pune.

Viti 2023 do të sjellë rritje pagash për të gjithë, por disa kategori do të kenë rritje më të lartë.

*Pagat e programuesve/TIK (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit) ndikohen nga punësimi në distancë, nga jashtë. Pagat maksimale janë për një pakicë, të cilët janë edhe ekspertët më të mirë të kësaj fushe në vend.

Pagat si më lart janë paga referencë informuese, sepse paga e gjithsecilit varet edhe nga shumë faktorë të tjerë ndikues. Në mënyrë që të përcaktohet paga e saktë për një pozicion duhet përputhur me përshkrimin e punës të secilit, hollësitë për secilin pozicion, etj., por sa më lart është një informacion referues marrë nga kompani vendase të mesme deri në kompani të huaja të mëdha, pra ka një spektër të gjerë dhe për kompetenca të ndryshme që kërkohen dhe vlerësohen nga secila kompani përkundrejt secilit punëmarrës.

Rritjet më të larta do të jenë për pagat e ulëta, por edhe për disa kategori p.sh. teknik apo inxhinier. Rritja do të jetë më e lartë për pagat e ulëta, p.sh. punëtorë në prodhim deri në 15% dhe kategoritë Teknik/Mjeshtër (Mekanik, elektrik, ndërtim, ngrohje/ ftohje, etj.), mjeshtër të niveleve të ndryshme, inxhinier, sepse këto kategori kanë jo vetëm kërkesë të brendshme, por tërhiqen edhe nga jashtë, për të punuar në vende si Kroacia, Sllovenia, Zvicra , Gjermania, etj., të cilat kanë kërkesë të lartë për këtë kategori punonjësish, e shoqëruar kjo edhe me tërheqjen që punonjësit ekzistues në këto vende do t’ju bëjnë të afërmve dhe miqve të tyre që kanë në Kosovë.

Ndërsa rritja +13% për punonjës të pa kualifikuar vjen për shkak të mungesës së tyre në treg, por edhe me mos interesimin nga një pjesë e popullsisë për të mos punuar me paga të ulëta. Në të dy këto kategori ndikon edhe largimi nga vendi, i cili vitin e fundit vlerësohet se e ka tkurrur forcën e punës me rreth 43,000 punonjës potencial, që largohen nga Kosova në mënyrë legale dhe ilegale. Mënyra e parë për të frenuar largimin e punonjësve është ndërhyrja në rritjen e pagës, dhe madje rritje e ndjeshme. Po ashtu, një ndikim pozitiv në rritje të pagave në këto kategori pritet të vijë nga miratimi i ligjit të pagave, ku propozimi është që paga minimale të rritet nga 170 EUR në 250 EUR neto. Rritja e pagës minimale neto do të reflektohet edhe në një zinxhir rritjesh në paga, ku më shumë reflektohet në pagat nën mesatare dhe mesatare dhe më pak në ato mbi mesatare, ndërkohë që nuk ka ndikim në pagat maksimale.

Edhe pagat e larta që nga Drejtori i Përgjithshëm (CEO), apo drejtuesit e departamenteve (CEO-1) do të kenë rritje gjatë 2023. Rritja e tyre nuk do të jetë në të njëjtën përqindje si pagat e ulëta, por në vlerë absolute edhe këto pozita do të pësojnë rritje të ndjeshme. Konkurrenca për talente për profile të tilla do të vazhdojë të jetë e lartë gjatë vitit 2023 dhe pagat do të rriten.

Profilet e drejtuesve në dallim nga profilet me paga të ulëta, nuk motivohen vetëm me rritje page, por edhe me një paketë të plotë përfitimesh si psh.: bonus vjetor, automjet përfaqësues dhe të sigurt, paketa siguruese për ata dhe familjarët, plan pensioni, trajnime cilësore etj., si dhe kushte pune që synojnë mirëqenien mendore dhe fizike të drejtuesit. Të gjitha këto, një drejtues me një karrierë të gjatë, duhet t’i ketë në mënyrë që të jetë edhe më i përkushtuar dhe produktiv për të ardhmen.

Një nga elementet e rritjes së pagës, që nuk është një faktor parësor, por që këtë vit ka qenë shumë i rëndësishëm, është inflacioni. Rritja e përgjithshme e nivelit të çmimeve do të thotë që edhe çmimi i punës, pra paga, duhet të rritet siç rriten edhe çmimet e produkteve të tjera. Në qoftë se rritet nafta, energjia, ushqimet, shërbimet, pse nuk duhen rritur pagat?!

Në vendin tonë, këtë praktikë e ndjekin kryesisht kompanitë e huaja, ndërsa ato vendase nuk e ndjekin, dhe kjo është një nga arsyet që rrjedhjen më të madhe të punonjësve të kualifikuar, por edhe të pakualifikuar, e kanë kompanitë vendase. Inflacioni zyrtar Janar – Nëntor 2022 është në nivelin e 11,5% dhe ne kemi gjykuar një min. rritjeje në vitin 2023, në masën 10% si një mesatarizues vjetor.

(Erald Pashaj drejton kompaninë e Burimeve Njerezore EPPC Albania & Kosovo. Produktet e kësaj kompanie janë: Punësime/ Kërkim & Seleksionim të Stafit, Trajnime, Staff Leasing, Vlerësime Extended DISC dhe Hulumtime mbi Burimet Njerëzore etj.)

Të ngjashme