Megjithëse ende nuk ka asgjë zyrtare, një koalicion mes koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje është parë i mundur.
Por, cili është kushti që VV-ja të bashkëpunojë me koalicionin LAA?
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka thënë se qytetarët janë shprehur për të preferuarin e tyre, duke iu referuar kandidatit të partisë së saj për kryeministër, Albin Kurti, por që ajo thotë se postet nuk duhet të jenë kusht për koalicion.
“Më 14 qershor, kryetari ynë, ka ftuar për takim kryetarin e LDK. Së pari duhet të ndodhë ky takim. Sa i përket kandidatit për kryeministër, për këtë tashmë janë shprehur qytetarët dhe në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta deformojmë vullnetin e qytetarëve. Por, s’mund e s’duhet që diskutimet për një koalicion të mundshëm të fillojë me diskutim për ndarje postesh. Populli e ka parë se çfarë ka ofruar LDK në qeverisjen e saj sikurse e ka parë se çfarë kemi bërë ne si opozitë, por edhe si qeverisje në Prishtinë, dhe 11 qershori është fjala e popullit. 11 qershori na tregon më së miri se çfarë do populli”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndërsa, sa i përket mundësisë që të ketë një kandidat tjetër konsensual në vend të Kurtit e Hotit, siç kishte thënë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, Haxhiu është shprehur se nuk mund të veprohet sipas dëshirës së askujt.
“Siç e thashë edhe më lartë për këtë kanë vendosur qytetarët duke votuar Lëvizjen Vetëvendosje!, si subjekt të parë dhe Albinin si kandidatin me më së shumti vota. Edhe Behgjet Pacolli duhet ta kuptoj mesazhin që qytetarët e kanë dhënë. Ne nuk mund të veprojmë sipas dëshirave apo tekeve të Pacollit e askujt tjetër. 11 qershori e ka konfirmuar se qytetari e sheh si shpresën e vetme Lëvizjen tonë dhe kjo s’mund të mohohet nga askush. Vetëvendosje! duhet ta drejtojë qeverinë dhe vetëm kështu është i mundur ndryshimi”, ka deklaruar deputetja Haxhiu për gazetën “Bota sot”