Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Çitaku e ka kritikuar Serbinë, e cila është duke synuar të ngrehë një memorial për Sllovodan Millosheviqin.
“Kosova duhet të kërkojë se ç’është duke bërë Serbia. Tani dëshiron t’i ngrehë memorial Sllobodan Milloshevqit. Po cila është porosia që po jep Serbia për viktimat e së shkuarës, që duke kujtuar kriminelin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Gjithashtu, është me rëndësi se çfarë mesazhe po u dërgon edhe qytetarëve të saj”, është shprehur Çitaku.
Ambasadorja Çitaku ka theksuar se Serbia duhet të reflektojë dhe të mësojë nga e kaluara. “Ne në Kosovë nuk dëshirojmë t’i lëmë fëmijët tanë me barrë nga e kaluara. Muajin e kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi dy memoriale të komunitetit serb”, ka thënë ajo. Çitaku ka deklaruar se Serbia se duhet ta ndalë financimin e strukturave paralele dhe ta ndalë formimin e kolonive në Kosovë.
Më tutje, ajo ka thënë se Republika e Kosovës ka përparuar në luftën kundër terrorizmit. “Kemi luftuar terrorizmin. Që 10 muaj asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar në ISIS”, ka thënë Çitaku. Ndërsa zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se spastrim etnik ka ndodhur nga shqiptarët për serbët. Ai ka përmendur, gjatë mbledhjes së KS të OKB-së, shifra të serbëve që jetojnë në Kosovë sipas regjistrimit të vitit 1981 dhe krahasimin me sot.
Daçiqi ka folur për ambasadorin William Walkerin. Ai ka deklaruar se ai kishte bërë deklarata të ngutshme. “Walkeri ka bërë deklarata të ngutshme për gjenocid. Ai tash njihet si hero i Kosovës dhe atje ka marrë shumë çmime”, ka thënë Daçiqi.