Çitaku kritikon Specialen: Na treguat menynë e Hagës, tani tregoni si u gatua padrejtësia

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke ngritur shqetësime për mënyrën e administrimit të provave dhe trajtimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Çitaku ka kritikuar komunikatën e fundit të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, është përqendruar në kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve, përfshirë ushqimin dhe mundësinë për të dalë në ajër të pastër, në vend se të japë përgjigje për çështjet që lidhen me procesin gjyqësor.

“E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi. Rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën që meritonin në aktgjykimin e 16 shtatorit. Pas gjashtë vjetësh paraburgim për ish-krerët e UÇK-së, Specialja ka zgjedhur të na tregojë se u shërben tri shujta në ditë dhe se ata kanë të drejtë të dalin në ajër të pastër. Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë.”, ka shkruar ajo.

Ajo ka ngritur pyetjet se si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste?

“Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si? Në të njëjtin proces u pranuan 164 deklarata me shkrim, pa i dhënë mbrojtjes mundësinë t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë. Rreth 2.000 prova u pranuan pasi prokuroria e kishte mbyllur paraqitjen e rastit të saj. Në ç’rrethana quhet kjo barazi mes palëve?”, ka shkruar Çitaku.

Ajo gjithashtu ka rikthyer vendimet e Hagës për të mos lejuar Hashim Thaçit të vinte në varrimin e babait të tij.

“Dhe pastaj vjen abuzimi me njerëzoren. Hashim Thaçi nuk u lejua t’i jepte lamtumirën e fundit babait të tij. Vëllezërve u mohohet takimi me vëllezërit e tyre, në derë të shtëpisë. Por Specialja po na kujton me përpikëri se ka dhjetë ditë vizitash në muaj. Sa ditë i duhen një djali për të marrë pjesë në varrimin e të atit? Vetëm një. Pikërisht atë ditë ia mohuat.”, ka shkruar tutje.

Çitaku ka thënë se kur vetë Gjykata ka konstatuar gabime në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, duke rrëzuar në apel disa prej gjetjeve të fajësisë në rastin e Shalës dhe duke ulur dënimin në rastin e Mustafës, kërkesa për një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit është e domosdoshme.

“Prandaj, si shtet e si shoqëri, nuk do të zmbrapsemi. Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel.”, përfundon shkrimi i saj.

Të ngjashme