Pergamena në të cilën është vendosur Deklarata e Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008, është mbi 200 vjet e vjetër.
Kjo pergamenë i ishte bërë dhuratë, Kosovës nga Muzeu i Londrës në Angli. Në atë pergamenë është nënshkruar deklaratë e pavarësisë së Kosovës ku gjendet edhe sot në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit, shkruan Demokracia.com.
Shyqri Nimanit, artist dhe profesor, iu deshën 16 orë për ta kaligrafuar pergamenën me Deklaratën e Pavarësisë në të. Sipas rrëfimit të tij, ai për 16 orë punë kishte pirë vetëm ujë.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi kishte ardhë për ta marrë dokumentin. Profesor Nimani kishte kërkuar që momentin e shpalljes së pavarësisë ta përcjellte nga Zyra e Kryeministrit, meqë ndjehej i lodhur pas punës 16-orëshe.
“Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë”, deklaroi Nimani në një intervistë të mëhershme.
Përpilimi i Deklaratës së Pavarësisë ishte bërë nga ish-kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Sipas Sejdiut, një rol të madh në përpilimin e Deklaratës së Pavarësisë kanë pasur faktori ndërkombëtar.
Sipas Sejdiut, ka pasur versione të ndryshme nga funksionarë të asaj kohe, por në fund është bërë versioni përfundimtar në zyrën e misionit amerikan në Kosovë.
Deklarata e Pavarësisë u lexua në Kuvendin e Kosovës nga ish-kryeministri Thaçi në prezencë të deputetëve të atëhershëm.
Për deklaratën e pavarësisë votuan të gjithë 109 deputetët e pranishëm, ndërkohë që në seancë nuk merrnin pjesë deputetët e pakicës serbe.