Një grua ka vdekur në QKUK këtë të hënë. Familja e saj po e fajëson një restorant në Prishtinë, nga ushqimi i të cilit dyshohet se H.Sh. ishte helmuar.
Policia ka nisur hetimet, ndërkaq nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë mostra për testim nga restoranti, disa nga të cilat kanë rezultuar me bakterin Escherichia Coli. Por çfarë është ky bakter dhe sa mund të jetë i rrezikshëm?
Dreka që e kishte ngrënë në një të pame në fshatin Trudë të Prishtinës, dyshohet se shkaktoi helmimin e e më pas vdekjen e H.Sh.
Pas ngrënies, ajo kishte filluar të ketë shqetësime shëndetësore. Simptoma të tilla kishin edhe rreth 80 persona të tjerë që kishin shkuar për ngushëllime.
Në fillim dyshohej se ishin të infektuar me Covid-19, për çka u testuan, por pas analizave, doli se ishin të helmuar nga ushqimi.
Ky ushqim ishte porositur në një restorant në Prishtinë, më 3 shtator, ndërkaq shqetësimet shëndetësore të ata që kishin ngrënë ushqimin e porositur nga restoranti, u shfaqën në orët e para të mëngjesit të 4 shtatorit.
Gjendjen më të rënduar nga të gjithë të helmuarit e kishte H.Sh. ajo u trajtua në QKUK për gati një muaj, ku edhe vdiq pasditen e së hënës.
Bashkëshorti i saj ka hapur rast në polici, ndërkaq me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
Përveç Policisë dhe Prokurorisë, hetime ka kryer edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka deklaruar për Express se personat e helmuar kanë konsumuar pleskavicë me sos, mish të kuq, mish të bardhë dhe sallatë mikse.
“Bazuar në informatat nga disa prej personave të dyshuar në helmim rezulton se po të njëjtit kanë konsumuar pleskavicë me sos, mish të kuq, mish të bardhë, si dhe sallatë mikse. Konsumi i këtyre produkteve ka ndodhur me dt. 03.09.2021 rreth orës 15:00. Ndërsa shqetësimet e para shëndetësore kanë filluar rreth orës 00:00-01:00 të datës 04.09.2021. Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore së pari personat në fjalë janë referuar për teste Covid”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi ka deklaruar se në inspektimet që janë kryer në restorant është konstatuar se kushtet higjienike-sanitare kanë qenë në nivel mesatar.
Ai ka bërë të ditur se ka pasur mundësi për kontaminim të kryqëzuar, pasi në të njëjtën hapësirë janë ruajtur produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë.
“Bazuar nga këto të dhëna ekipi inspektues e sipërpërmendur doli ne vendngjarje dhe konstatoi: Në inspektim të kushteve të përgjithshme higjiene sanitare u vlerësuan në nivel mesatar, shumica e hapësirave janë të ndërtuara nga material qe lehtë pastrohet dhe mirëmbahet, por kishte mundësi të kontaminimit të kryqëzuar, pasi që në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë. Djathi, sosat ishin shumë afër vezëve, pa asnjë ndarje fizike, gjë që paraqet mundësi për kontaminim. Ruajtja e majonezit, jo adekuate, ku sipas prodhuesit duhej ruajtur në temperaturë 5-10 °C, ndërsa mbahej ne temp ambienti”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi bëri me dije se restoranti ishte mbyllur përkohësisht, për të parandaluar helmimin e personave të tjerë, deri në identifikimin e plotë të faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim.
“Për të penguar edhe persona të tjerë mund të helmohen dhe bazuar ne te dhënët faktike ne vendngjarje subjekti është mbyllur përkohësisht, deri ne identifikimin e plote dhe te sakte të faktorit ose faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim. Subjekti është urdhëruar të beje përmirësime ne kushtet higjienike, kushte të ruajtjes, sistemim dhe organizim te produkteve bazuar ne natyrën dhe destinimin e tyre, eliminimin e plote te të gjitha mundësive që mund të konvertohen ne kontaminim të kryqëzuar, dhe ne fund të kryhej DDD”, ka deklaruar Thaçi.
Ai tha se janë marrë gjashtë mostra nga ushqime të ndryshme dhe 15 strisho nga ambientet e kuzhinës dhe mjetet e punës.
Katër nga këto strisho kanë rezultuar me Escherichia Coli dhe gjashtë me baktere të gjalla.
“Nga 15 strisho të marra, 4 prej tyre rezultojnë pozitive në: Strisho nga rubineti ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga ena plastike 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga dërrasa për prerjen e ushqimit ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga kapësja e sallatës 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli”
Por çfarë duhet të dimë për E.colin dhe sa mund të jetë i rrezikshëm ky bakter?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Escherichia coli, ose E. coli, është një lloj i baktereve që zakonisht gjendet në zorrët e kafshëve me gjak të ngrohtë.
Ky bakter transmetohet te njerëzit kryesisht përmes konsumit të ushqimeve të cilat janë të kontaminuara, si produktet e mishit të bluar të papërpunuar ose të pazier, qumështit të papërpunuar dhe perimeve të papërpunuara e të kontaminuar.
E.Coli mund të gjendet edhe në ujë, kryesisht në ujërat e zeza.
Mbeturinat e kafshëve të hedhura në ujë mund të përmbajnë shumë lloje të organizmave që e shkaktojnë këtë sëmundje.
Mbeturinat mund të hyjnë në ujë përmes mënyrave të ndryshme, duke përfshirë tejmbushjen e ujërave të zeza, sistemet e ujërave të zeza që nuk funksionojnë siç duhet, rrjedhjet bujqësore, e hedhjen e mbeturinave shtazore.
Shumë prej llojeve të këtij bakteri cilësohen si të padëmshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Megjithëse, disa lloje të E.colit thuhet se mund të shkaktojnë sëmundje të rënda të transmetuara nga ushqimi.
Edhe konsumi i ujit ose kontakti me ujë të ndotur me jashtëqitje të kafshëve me gjak të ngrohtë mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh.
Nga këto simptoma mund ta kuptoni se jeni të helmuar me bakterin E.coli
Megjithëse shumica e llojeve të këtij bakteri janë të padëmshme ka edhe prej tyre që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda.
Simptomat më të shpeshta nga E.coli janë dhimbja e barkut, diarreja, temperatura e të vjellat.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shumica e pacientëve shërohen brenda 10 ditësh, por në një pjesë e vogël të pacientëve (veçanërisht fëmijë të vegjël dhe të moshuar), infeksioni mund të çojë në një sëmundje të rrezikshme për jetën, siç është sindroma hemolitike uraemike (HUS). HUS karakterizohet nga insuficiencë renale akute, anemi hemolitike dhe trombocitopeni (trombocite të ulëta të gjakut).
Simptoma më pak të zakonshme përfshijnë vjelljen dhe temperaturën e ultë. Shumica e të rriturve të shëndetshëm shërohen nga një infeksion plotësisht pas rreth një jave.
Simptomat e të infektuarve zakonisht shfaqen brenda 2 deri në 4 dite, por mund të zgjasin deri në 8 ditë.
Shumë prej të helmuarve mund të shërohen edhe pa antibiotik apo ndonjë trajtim specifik.
Njerëzit preferohet që të vlojnë ujin e pijshëm dhe më pas të lejojnë që uji të ftohet para se ta përdorin ose ta ruajnë atë në një enë të pastër, të mbyllur për përdorim të mëvonshëm.