Tashmë të gjitha partitë politike parlamentare që garojnë për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit i kanë bërë të ditura sloganet e tyre elektorale. Siç dihet këto të fundit përdoren si “armë politike” me qëllim mobilizimin bazës qytetare rreth një kauze kryesore.
Pas një hezitimi Lëvizja Vetëvendosje, më në fund ka shpallur si moto të saj formulën “Cep më Cep”. Ky slogan reflekton besimin e saj për politikat e ndjekura veçanërisht në pjesën veriore. Sepse tashmë, sipas zyrtarëve të kësaj partie, asnjë cep i Kosovës nuk ka mbetur jashtë sovranitetit të shtetit. Pra kjo parti politike pretendon ta marr besimin e qytetarëve të Kosovës me qëllim përfundimin e asaj që e ka filluar gjatë këtij mandati në pjesën veriore. Në shumëçka ky slogan nuk dallon nga ai zgjedhjeve të vitit 2021, që e kishte sajuar ky subjekt politik të titulluar “Krejt dhe Drejt”. Pra në ty dy rastet dominon një skemë mentale pan-përfshirëse, që edhe është pjesë ineherente e strukturave të tilla për të mos lënë asgjë jashtë vetes. Kurse nëse diçka mbetet e pa përfshirë, sipas kësaj mendësie populiste, ajo është pengesë për interesin e përgjithshëm.
Ndërkaq, në konventën e mbajtur kohë më parë, PDK-ja u shfaq me sloganin “Kosova mundet më mirë”. Si i tillë kjo moto dallon rrënjësisht nga slogani i zgjedhjeve të vitit 2021, kur kjo parti kishte bërë thirrje për “Rimëkëmbje”. Por shtrohet pyetja, nëse para katër viteve vendi ka pasur nevoje politike për ringritje, atëherë si është e mundur që pas katër viteve të qeverisjes nga një parti kundërshtare, të dominojë thirrja vetëm për “më mirë”? Një kthesë e tillë, krijon përshtypjen se PDK, tashmë është pajtuar me modelin aktual qeverisës, por insiston që vetëm ai të përmirësohet me shumë. Prandaj edhe mungon subjekti veprues politik. Ndërkohë, shihet qartë afërsia me sloganin “më gjallë” që kjo parti e kishte përdorur për zgjedhjet komunale në Prishtinë, se sa për ato parlamentare në vitin 2021.
Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, në këto zgjedhje konkurron më anë të sloganit “Bëhu Ndryshimi”. Me këtë moto, ky subjekt tenton ta adresojë vetën si agjente politike ku mund të iniciohen ndryshimet politike ne vend. Edhe kjo thirrje dallon nga ajo që kjo parti e kishte përdorur si slogan në vitin 2021 “Mbesim në Lidhje” Kjo e fundit atëbotë reflektonte ankthin e bjerrjes së elektoratit të kësaj partie nga ndarja e Listës Guxo të prirë nga Vjosa Osmani. Prandaj besnikëria ndaj lidhjes u shpall si kumt mbi çdo kalkulim tjetër.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet “Listës së Fitores” operon në këto zgjedhje nëpërmjet sloganit ”Direkt në NATO-Plani Aksional i Anëtarësimit Siguri-Ekonomi”. Ndërkohë, përpos bindjeve të saj për dëmet politike dhe diplomatike, që i ka shkaktuar vendit qeverisja katër vjeçare e Kurtit, po ashtu kjo thirrje është përpjekje për të imtuar modelin e presidentit Trump në politikën e jashtme, ku sipas shumë analistëve ai më shumë do të jetë i fokusuar kah qasja bilaterale dhe transaksionale në politiken e jashtme. Kurse si shembull, Aleanca do ta përdor rastin në formimin e ushtrisë së Kosovësë, ku ndryshimet ligjore u bënë të mundura vetëm në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët amerikanë të mbrojtës, përkatësisht Gjeneralin James Mattis, që atëbotë kishte shërbyer në postin e Sekretarit të Mbrojtjes.