Çka ndodh kur teprohen zgjedhjet?

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare për herë të tretë në më pak se një vit e gjysmë.

Do të jenë të dytat të parakohshme radhazi, pas atyre në dhjetorin e 2025-tës, që u shkaktuan nga dështimi i legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e rregullta të shkurtit të atij viti, për konsolidimin e institucioneve.

Në këta muaj të parë të 2026-tës, subjektet politike në Kuvendin e Kosovës nuk arritën të zgjedhin presidentin e vendit brenda afatit kushtetues.

Për pasojë, legjislatura e dhjetë u shpërnda. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e shpalli 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Efekti i kundërt i zgjedhjeve

Njohësit e çështjeve shoqërore e vlerësojnë të lodhshëm ciklin e shkurtër zgjedhor.

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se demokracia është sistem qeverisës që ka për qëllim fuqizimin e qytetarëve.

Por, sipas tij, mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve shndërrohet në praktikë rraskapitëse, me efekt të kundërt: humbjen e besimit në votë dhe gërryerjen e substancës politike.

“Rituali demokratik bëhet pikërisht vetë ai që e rrënon frymën dhe kuptimin e demokracisë. Harxhohet energjia politike dhe ndodh një demobilizim i pjesëmarrësve në proceset e radhës”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë (REL).

Vitin e kaluar, përveç dy palë zgjedhjeve parlamentare, në shumicën e komunave të Kosovës u mbajtën edhe dy runde të zgjedhjeve lokale.

Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS) kujton se, për shumicën e qytetarëve, do të jetë hera e pestë që votojnë brenda 16 muajsh.

“Të dalësh pesë herë [në votime] për një periudhë kaq të shkurtër kohore është jashtëzakonisht e rëndë për secilin qytetar, qoftë në aspektin ekonomik për shtetin, qoftë në aspektin social të qëndrueshmërisë për qytetarë”, thotë Mujku për REL-in.

Lodhja nga votimet

Qytetarë në Prishtinë, me të cilët bisedoi REL-i, i shohin të lodhshme votimet e shpeshta.

“Jo që na kanë lodhur, por na kanë lodhur tepër. Po përsëriten gjërat e njëjta. Emrat e njëjtë do të promovohen sërish, nuk ka ndonjë ndryshim, programe të reja nuk ka”, thotë Gazmend Zhuri.

Edona Selimi shpreh mendimin se as zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do ta ndryshojnë situatën në skenën politike dhe institucionale.

“Sigurisht që na ka lodhur ky cikël i ri i zgjedhjeve. Besoj që shumë pak prej popullatës ka për të dalë herën tjetër [në votime]”, thotë ajo.

Për Ekrem Nezirin, jo vetëm zgjedhjet e shpeshta janë të lodhshme, por edhe aktivitetet e subjekteve politike të zhvilluara brenda periudhës ndërmjet zgjedhjeve.

“Nuk ka vetëm një fajtor. Të gjithë janë, dikush më pak, e dikush më shumë. Të gjithë duhet mbajtur përgjegjës”, shprehet ai.

Pasojat e tjera

Muhaxhiri e sheh situatën si jashtëzakonisht dëmtuese për Kosovën, sepse qytetarët, thotë ai, nisin ta perceptojnë të votuarit si “strukturalisht të kotë”, pasi nuk shohin efekte konkrete në ecurinë e jetës institucionale.

“Kësisoj, edhe aktorët që kanë potencial të kontribuojnë në mënyrë cilësore në jetën politike e humbin motivin dhe gradualisht tërhiqen, duke e degraduar edhe më shumë diskursin politik”, thekson Muhaxhiri.

“Më e rrezikshmja është ideja e normalizimit të mosfunksionimit demokratik, pasi kështu investohet në ndërtimin e kulturës fataliste, që e minon entuziazmin, vetëbesimin dhe sigurinë kolektive”, thotë ai.

Muhaxhiri shton se, në këtë situatë, zbehet respekti ndaj sistemit dhe mund të dalin në pah forma jashtinstitucionale të veprimit.

Gjithashtu, sipas tij, në mesin e qytetarëve shkaktohen polarizime të mëdha, pa ndonjë thellësi ideologjike, duke shkaktuar “stres social të përmasave të gjera”, i cili ndikon në mënyrën në të cilën qytetarët e mendojnë dhe e përjetojnë raportin e tyre me shtetin.

Mujku thotë se në komunikimet që ka me disa fokus grupe, ka parë zhgënjim të qytetarëve me partitë politike. Sipas tij, shumë qytetarë nuk presin që zgjedhjet e reja do të prodhojnë zgjidhje për krizën politike dhe institucionale.

“Shumë prej personave kanë reaguar duke thënë që nuk do të dalin [në votime], sidomos disa që kanë qenë fanatikë të subjekteve të caktuara politike”, tregon Mujku, i cili parasheh se dalja e qytetarëve në votime në zgjedhjet e ardhshme do të jetë më e ulët se në ato të fundvitit.

Përsëritja e zgjedhjeve, pa rezultatin e stabilizimit të institucioneve, sipas sociologëve shkakton zhgënjime të thella dhe pasoja shumëdimensionale në shoqëri.

Ndër to është, sipas Muhaxhirit, është edhe “ankthi ekonomik”, i cili i ka dy aspekte kryesore: pezullimin e planeve afatgjate jetësore në Kosovë dhe rritjen e nivelit të emigrimit.

“Emigrimi transformohet në një akt të heshtur politik, si reagim protestues fundamental ndaj gjithë spektrit politik, ndërkohë që kjo i bën dinamikat elektorale më të pafuqishme”, thotë ai./REL

Të ngjashme