Çka të duhet medicina, kur i ke shqiptarët

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 09:26 | Nga Kimete Berisha

Shqiptarët i dhanë fund pandemisë para se t’i jap fund medicina dhe politika.

Kështu ndodh rrallë. Dhe u ndodh vetëm popujve të lashtë, antik, siç jemi ne shembull për planetin.

Të mërzitur nga frika, shqiptarët e mundën frikën.

Se për shoqërinë shqiptare, koronavirusi ishte frikë e jo sëmundje infektive.

Pra, në Kosovë guximi të shëron.

Po, edhe frika është infektuese dhe shpërndahet më shumë se çdo sëmundje tjetër.

Prandaj, duke e mohuar pandeminë (me teori të huazuara konspirative) shoqëria e mundi atë duke i dalë me hundë e buzë përpara.

Mohimi luan rol të madh. Është vaksinë e njohur shqiptare, mohimi.
Se kur të mohon shqiponja- s’të pranon.
Kur s’ta pranon ekzistencën, ti si virus zhdukesh, sepse paraprakisht nuk ekziston.

Kur shqiptarët e mundën frikën, shpëtuan.

Dhe tash të çliruar nga frika prej pandemisë, s’njohin ligj, as polici, as qeveri, as Zot as kurrgjë hiç.
Kush që i tutë s’ka!

Edhe policia janë shqiptarë, prandaj as ata s’e njohin Ligjin e Frikës, dhe me krenari i shikojnë trimat shqiptarë duke shetitur përkrahu dhe gojë më gojë rrugëve.

Ai që sot e njeh Ligjin dhe mban maska e dorëza, duket qesharak; ai që ec rrugëve pa maskë dhe dorë për dore duket mbret në Kosovë.
E ai që guxon e puthet në publik, ai është Hero i pandemisë.

E kam mbajt veten për trimneshë, tash po më duket vetja shybeli, krejt Kosova ishin kanë më trima se unë.

Kallabllak e dalldi më e madhe nuk ndodh as në dasma, prandaj pse mos të lejohen dasmat, kur lejohen korzot klasike, s’ke ku e qet gjilpërën kudo ku shkon, në secilin qytet.
Bile vallja e lyp do distancë.

Presidenti Erdogan ka vendosur ta bllokojë popullin e tij për Bajram por në Kosovë u bë Bajram qe 2 javë, kush nuk mban distancë, hyn e del prej shumicës së dyqaneve pa pasur nevojë për maskë.

Kështu që ti ministër Xhelali, s’ke pse tutësh prej faljes së Bajramit (ende pa ndodh), kur s’po tutesh prej dalldisë kolektive që po të ndodh para syve, dhe kush s’është kah t’i bën hesap masat e vendimet.

Qytetarët e kanë marrë fatin nga duart e medicinës dhe politikës, në duart e veta.

P.S. Vërtetë padija është shpëtim.
Sa më pak që di, aq më pak tutësh;
sa më pak tutësh, aq më i lirë je.
Dija është luks.
Me liri dhe me guxim të paepur (edhe pa medicinë) shqiptari e mundë pandeminë dhe cilindo armik që i del përpara.

Komplimente.

Të ngjashme