Çka do të ndodhë sot në Kosovë

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 08:13 | Nga

Një interpelancë e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, do të karakterizojë fillimin e së premtes në vend.
I pari i qeverisë nuk u shpreh i gatshëm të deklarohet të enjten në fillimin e sesionit pranveror në punën e Kuvendit, dhe rrjedhimisht interpelanca e tij u shty për nesër.

Kjo interpelancë bëhet me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që Haradinaj ta informojë Kuvendin në lidhje me gjuajtjen me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

E, në seancën ku parashihet të raportojë Haradinaj, ligjvënësit kosovarë do të zgjedhin një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe pesë zëvendës të Avokatit të Popullit.

Gjatë kësaj seancë do të shqyrtohet edhe projektligji për Azil dhe ai për Strategji të Energjisë në Kosovë për vitet 2017-2026.

Gjatë së sotme në këtë seancë plenare, sipas agjendës, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, nuk do jetë i pranishëm.

Ky anëtar i kabinetit qeverisës do të vizitojë Shoqatën “Doën Syndrome Kosova”, në Prishtinë.

Qëllimi i kësaj vizite është nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet MPMS-së dhe kësaj shoqate, për mbajtjen e trajnimeve profesionale për të rinjtë me Sindromën Down në qendrat e aftësimit profesional në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.

Dita e premte do të ketë në Kuvendin e Kosovës edhe raportimin e Behgjet Pacollit, ministër i Punëve të Jashtme. Gjatë punimeve të Komisionit për Punë të Jashtme, do të bëhet edhe Shqyrtimi i draft-Planit dhe Programit të Punës së Komisionit për vitin 2018.

Po ashtu, gjatë ditës, organizata jo-qeveritare “Sensibilation and Education for European Future” (SEEF), organizon konferencë me rastin e Ditës Botërore të Edukimit Mjedisor.

Në këtë konferencë është paralajmëruar se do jenë pjesëmarrës ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /Express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme