Kurti: Sulmin nuk ka mundësi ta bëjë një individ apo dy, por një organizatë që është profesioniste në terrorizëm

Prishtinë | 30 Nën 2024 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vizitën e tij në fshatin Varagë pas sulmit në Zubin Potok ka falënderuar policët, inxhinierët, ekspertët, punëtorët për punën siç e quajti ai vetëmohuese, për të sanuar dëmin.

Kurti u shpreh se policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe siç tha ai “të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”.

“Erdhëm bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, drejtorin e Policisë, drejtorin e Inteligjencës sonë dhe me kolegë të tjerë nga sektori i sigurisë që ta shohim në vendin e ngjarjes dëmin e jashtëzakonshëm që na është shkaktuar mbrëmë nga ky sulm terrorist e kriminal që ka dëmtuar infrastrukturën kritike, meqenëse e ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike, edhe furnizimin me ujë”.

“Vetëm duke ju falënderuar punës vetëmohuese të këtyre policëve, inxhinierëve, të ekspertëve, të punëtorëve, kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku tek diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit lbër Lepenc, i cili e bën edhe ftohjen e termoelektranave në Obiliq, edhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave, përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës”, u shpreh ai.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka thënë se duke qenë në vendin e ngjarjes, sipas tij, atë nuk ka mundësi ta bëjë një individ apo dy, por tha se e ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulme të këtilla terroriste.

“I falënderoj të gjithë ata që po punojnë e po kontribuojnë. Ky ishte sulmi i tretë, kishte edhe dy sulme të mëhershme në 72 orët e fundit dhe këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi që këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarë të zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulme të këtilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin, interesin për një gjë të tillë e ka veçse Serbia”.

“Të gjithë e dini që me datën 29 qershor të vitit të kaluar Mbrojtjen Civile të ashtuquajtur dhe Brigadën Veriore të ashtuquajtur po ashtu, i kemi shpallur organizata terroriste. Këto organizata, sidomos Mbrojtja Civile janë me ligj në Serbi edhe në listë të rrogave atje, sepse u ndahet buxhet e njëkohësisht edhe në organogramin e pushtetit të shtetit armiqësor e agresor serb”.

“Prandaj edhe ne e mbajmë përgjegjës Serbinë për këtë. Kur kësaj ja shtojmë faktin që gjatë kësaj jave ka pasur sulme të mëdha me mbi 200 raketa në Ukrainë nga forcat e federatës ruse kundër Ukrainës në infrastrukturë kritike po ashtu, posaçërisht në kapacitetet energjetike të cilët kanë bërë që mbi 1 milion amvisëri në Ukrainë të ngelen pa energji elektrike, është e qartë se lufta hibride ka marrë një hov të madh dhe përveç kësaj është bërë edhe ajo që quhet në literaturë në strategjitë ushtarake e të mbrojtjes, luftë kinetike, sepse po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike ku dëmi është maksimal”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri gjithashtu është shprehur se Policia në Kosovë nuk është kundër serbëve, por siç tha, Serbia është kundër Kosovës.

“Pra dëmi maksimal është synuar edhe me rastin e këtij sulmi terrorist, sepse kanë mundur t’i vendosin këto mbi 15 kilogram eksploziv në ndonjë rrugë, në ndonjë aks rrugor. Kanë mundur t’i vendosin në një urë, por në kanalin Ibër Lepenc që na e sjellë ujin prej Ujmanit e që dihet që Liqeni i Radoniqit, Liqeni i Batllavës dhe Liqeni i Badovcit me ua mbledhë sasinë, vëllimin e ujit bashkërisht nuk bëjnë më shumë se 1/3-ta e Liqenit të Ujmanit, është e qartë se synimi ka qenë të maksimizohet dëmtimi. Duhet t’i mbështesim organet tona të sigurisë e të rendit, Policinë tonë, Inteligjencën tonë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në mënyrë që edhe të zbardhet plotësisht e vërteta edhe të zbatohet drejtësia, por edhe të parandalohet çkado e ngjajshme në të ardhmen”.

“I falënderojmë edhe faktorët ndërkombëtarë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin e Bashkimit Evropian, Ambasadorin Gjerman, Italian, Francez, KFOR-in e EULEX-in për bashkërendimin që kemi pasur gjatë natës dhe për mbështetjen e tyre për vendin tonë, qytetarët tanë dhe funksionimin demokratik me shërbim të sigurisë e ligjshmërisë, të drejtave e të paqes për gjithë qytetarët pa dallim”.

“Policia në Kosovë nuk është kundër serbëve, po Serbia është kundër Kosovës. Ajo financon, orkestron, mbështet, dirigjon grupe të këtilla kriminale që i ka në listë të rrogave e në organogram të pushtetit, prandaj edhe ne e bëjmë fajtor Serbinë për këtë dhe kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, sidomos Brukseli dhe Uashingtoni, që ta dënojnë Beogradin dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre”.

“Nuk është e rastësishme heshtja e Presidentit të Serbisë. Nuk është e rastësishme që ata po presin sa është dëmi, sa na kanë destabilizuar në mënyrë që të shohin se çfarë episodash tjera të organizojnë. Ky ishte sulmi i tretë në 72 orët e fundit, nuk është sulmi i parë. Urojmë të jetë i fundit, por është sulmi i tretë në 72 orët e fundit”, ka thënë tutje kryeministri Kurti.

Të ngjashme