Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës, po mban punëtori për rolin e grave në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Në këtë punëtori mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme,Skender Hyseni, i cili vuri në dukje se gratë kanë rol shumë të rëndësishëm për mënyrën se si i shtrojnë problemet, sidomos trafikimit me qenie njerëzore, sepse ato personalisht preken nga ky fenomen.
“Trafikimi me qenie njerëzore është problem global, vitin e kaluar kam vizituar të gjitha rajonet e Kosovës, ku kemi diskutuar për fenomenin e trafikimit dhe kam kërkuar përfshirjen e të gjithë akterëve, pasi ne si shoqëri duhet të bëjmë progres sidomos në parandalim”, tha ministri Hyseni.
Ai theksoi se gruaja në Policinë e Kosovës ka një rol shumë të rëndësishëm, pavarësisht se Polica e Kosovës kryen punën e saj në mënyrë efikase, po janë hallkat tjera si Prokuroria dhe Gjyqësori, që nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet, edhe atëherë kurë kanë dënuar ndonjë trafikant, dënimet kanë qenë të pa përfillshme.