Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës procesverbalet.
Përmes këtij procesverbali ky ekip e ka pasur për detyrë ta njoftoj qeverinë për procesin e hartimit të statutit.
Në bazë të këtyre procesverbaleve, që përfshijnë muajt qershor dhe korrik, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë kërkuar që në statut të Asociacionit të përfshihen edhe kompetenecat në privatizim, në ekonomi, ruajte të sistemit arsimor me Serbinë si dhe kompetenca tjera.
Disa nga zyrtarët që ky ekip i ka takuar kanë kërkuar edhe ndryshime kushtetuese në mënyrë që Asociacioni të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga pala kosovare.
Në procesverbale të përkthyera në gjuhën shqipe, Asociacioni përshkruhet si Bashkësia e Komunave Serbe (BKS).
Transkripti i ekipit menaxhues që përbehet nga katër zyrtarë serbë, Vinka Radosavljeviç, Dejan Radojkoviq, Igor Kalamar dhe Svetislav Durleviq, në të gjitha takimet Kosovës i referohet si ‘Kosova dhe Metohia’.
Arsimi sipas sistemit të Serbisë
Sipas procesverbaleve, ekipi menaxhues me datë 4 qershor, ka mbajtur një takim me udhëheqësit e institucioneve arsimore, me qëllim të shqyrtimit të mënyrës se si do të duhej të trajtohet kjo fushë në Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Jasmina Dediç, udhëheqëse e administratës së arsimit në veri, i ka thënë ekipit menaxhues se “rektori i Universiteti të Prishtinës në veri dhe përfaqësuesit e të gjitha niveleve të tjera, duke përfshirë ciklin e ulët shkollor, të mesëm dhe të lartë, presin që të mbeten në sistemin aktual” të kontrolluar nga Qeveria e Serbisë.
“Sistemi arsimor të mbetet nën Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Zhvillimit të Teknologjisë të Republikës së Serbisë”, ka thënë ajo.
Anëtarët e ekipit menxhues për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe me datë 3 korrik në Mitrovicën e Veriut janë takuar me kryetarët e gjashtë komunave me shumicë serbe: Graçanicë, Ranillug, Zveçan, Kllokot, Leposaviq dhe Mitrovicës së Veriut. Tema e këtij takimi ka qenë kompetencat e ardhshme të Asociacionit.
Të pranishmit janë pajtuar se Asociacioni (BKS) do duhet t’ju mundësonte komunave kompetenca më të gjera, në bazë të të cilave në mënyrë plotësisht të pavarur do të mund të dispononte me mjetet buxhetore, duke përfshirë edhe zbatimin e procesit të prokurimit publik.
Kompetenca për privatizimim dhe kadastër
Vlladica Aritonoviq, kryetar i Komunës së Ranillugut ka theksuar se në Ligjin për investime strategjike do të duhej të ktheheshin dispozita që u mundësonin kryetarëve të komunave të drejtën e ndalimit të privatizimit të subjekteve të caktuara ekonomike.
Kryetarët e komunave serbe kanë kërkuar që kadastra e këtyre komunave të jetë në menaxhim të Asociacionit.
“BKS do të duhej të ketë kompetenca të plota në menaxhimin e kadastrit të patundshmërive, diametrit publik, shpronësimit të tokave, dhe çështjeve të tjera kadastrale”, ka thënë Slaxhan Kostiq, drejtor i Drejtorisë për Kadastër në komunën e Leposaviqit.
Aty është kërkuar apo ashtu që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel për kadastër dhe po ashtu është kërkuar themelimi i një kadastre brenda [BKS], e cila siç është thënë, do të parandalonte keqpërdorimet në menaxhimin e librave në këtë fushë.
Me datën 21 qershor ekipi menaxhues, ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e dorëhequr për Kthim dhe Komunitet Dalibor Jeftiq, ku është diskutuar për punën e ekipit dhe për projektet e ndryshme për ndërtimin e vendbanimeve për të kthyerit, si dhe për numrin e serbëve të kthyer.
Interesimi amerikan
Po në të njëjtën ditë, ekipi menaxhues ka takuar dhe një zyrtare nga të Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Zyrtarja, thuhet në procesverbal, është interesuar të dijë nga ekipi menaxhues se a do të ketë takime dhe sa takime do to ketë në Beograd dhe Prishtinë.
“Ajo është interesuar se a do të befasohet Prishtina me ketë raport, përkatësisht me draft-statutin dhe ka shprehur zhgënjimin se askush nga BE-ja nuk është në kontakt me ekipin menaxhues”, thuhet në procesverbal.
Kryetarët e këtyre komunave në takim kanë konstatuar se është e rëndësishme që kompetencat e [BKS] të mbeten të tilla siç janë definuar në Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.
Aty është konstatuar se do të ishte pozitive që në kuadër të BKS të mund të fitohej pronësia mbi subjektet ekonomike.
“Fjalët për ndryshime kushtetuese janë shpifje”
Ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe në disa takime me dekanin paralel të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës me selinë e përkohshme në Mitrovicë, Vladan Mihajloviq dhe me një ekip ekspertësh ligjorë, kanë përmendur edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.
“Është i nevojshëm që të ketë një bazë të vlefshme ligjore për funksionimin e Asociacionit të komunave serbe në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel”, kështu ka deklaruar, Vladan Mihajloviq, pas takimit që ka zhvilluar me ekipin menaxhues në maj të këtij viti.
Në të njëjtën mendim është edhe njëri nga anëtarët e ekipit menaxhues për hartimin e statusit për Asociacionit te komunave me shumicë serbe ka thënë të hënën për Radion Evropa e Lirë se “baza për formimin e Asociacionit të komunave serbe është ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i ligjeve të veçanta në mënyrë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. Për ketë është rënë dakord në Bruksel”, ka thënë ai.
Zyrtarët në institucionet e Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk e ka ndërmend ta ndryshojë Kushtetutën për t’i futur kompetencat e Asociacionit brenda saj.
Qeveria e Kosovës por edhe institucionet e tjera, ka përsëritur se Asociacioni do të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për kompentencat e Asociacionit.