Kurrë më parë nuk janë parë kaq shumë njerëz, thonë në pikën e hipjes në tragetet që nga Brindizi shkojnë në Vlorë dhe Sarandë.
Në fakt Vendi i Shqiponjave po lë pas konkurrencën greke dhe italiane falë çmimeve të ulëta dhe plazheve të bukura. Nga viti 2012 deri në vitin 2017, hyrjet kanë kaluar nga 3,2 milionë në 5,1 milionë persona, mbi të gjitha italianë. Një parajsë pushimesh e arritshme nga të gjithë, por që rrezikon të dëmtohet nga rritja e ndërtimeve të resorteve dhe banesave të ngritura sipër shkëmbinjve dhe pa një plan urbanistik të qëndrueshëm, shkruan portali i njohur italian “Il Fatto Quotidiano”.
“Sa është rritur fluksi? Do të thoja rreth 100%. Pa asnjë dyshim”, thotë Angela Prete e zyrës së agjencisë “Albania Ferries”, e vetmja agjenci turistike që kryen linjën Brindizi-Vlorë dhe, në periudhën e verës, edhe linjën Brindizi-Sarandë.
“Kurrë nuk kemi parë kaq shumë njerëz. Në mbrëmje ka një radhë me makina që nuk mbaron, në pritje për të hipur nëpër tragete”, thotë ajo, transmeton atsh.
Në fakt ka dy linja ditore, asnjëherë në këtë periudhë nuk është shtuar një e tretë në mëngjes. Një vajtje-ardhje e vazhduar. Deri në fund të muajit nuk ka më vende, qoftë edhe për një veturë. Ka vende vetëm për pasagjerë në këmbë. Të gjithë të tjerët spostohen në portin e Barit për të vajtur në Durrës.
Shqipëria fillon që në Pulja, në shkallët e portit të saj, që vetëm pak vite më parë përdoreshin vetëm nga emigrantë që riktheheshin në atdhe për pushime. Tani, Shqipëria tërheq pa fund turistë dhe është duke thithur një pjesë të industrisë së pushimeve nga Italia dhe Greqia, mbi të gjitha atë me çmime të ulëta. Në pesë vite, nga viti 2012-2017, hyrjet e të huajve në Vendin e Shqiponjave kanë kaluar nga 3,2 deri në 5,1 milionë persona, sipas të dhënave të “Instat”, instituti shqiptar i statistikave. Për vitin 2018 pritet që këto të dhëna të rriten ndjeshëm.