Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1) 2017 (2010=100 ).
Në tremujorin e parë të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.04%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 7.67%).
Kurse, Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për (0.05%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e parë të viteve 2010-2017 dhe për vitin bazë 2010.
Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.