Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, priti sot në takim shefin e ri të EULEX-it, Lars – Gunnar Wigemark.
Me këtë rast, Çoçaj e ka uruar Wigermark për detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit në proceset e interesit të përbashkët mes EULEX-it dhe KGjK-së. Çoçaj, po ashtu, e ka njoftuar shefin e ri të EULEX-it për zhvillimet e sundimit të ligjit dhe për çështjet që ndërlidhen me sektorin e drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e monitorimit të EULEX-it dhe mënyrën e trajtimit të sfidave që janë aktuale për gjyqësorin.
Në anën tjetër, Wigemark, në emër të Misionit që e drejton, shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e mirë me institucionet e drejtësisë përmes rolit të monitorimit dhe këshillimit. Shefi i EULEX-it tha se Misioni do të vazhdojë me gjetjet dhe dhënien e rekomandimeve për çështje sistematike dhe fusha tematike që prekin funksionimin e gjyqësorit dhe mirëpriti disa vendime të KGjK-së për adresimin e disa çështjeve që janë identifikuar nëpër raportet e EULEX-it.