Grupi “Coldplay” po i rikthehet muzikës me këngën e re “Higher Poeer”, e cila do të lansohet më 7 maj.
Bendi i njohur britanik i përbërë nga Chris Martin, Jonny Buckland, Guy Berryman dhe Will Champion, është bërë bashkë me producentin Max Martin në realizimin e këngës së re.
Lajmi i mirë u konfirmua përmes një mesazhin në Twitter, ku shkruhej: “Kënga ‘Higher Power’ është krijuar spontanisht në fillim të vitit 2020. Ajo vjen e prodhuar nga Max Martin i cili është një mrekulli e vërtetë e universit. Projekti jonë i ri muzikor lansohet të premten më 7 maj”.
Fansat e grupit të njohur të muzikës rok kishin kohë që po e prisnin lansimin e ndonjë këngë të re. “Higher Power” tashmë është në dispozicion për t’u para-porositur në të gjitha platformat muzikore.
Duket se anëtarët e bendit “Coldplay” kanë qenë mjaft të angazhuar gjatë karantinës duke incizuar këngë të reja, e që besohet se do të përfshihen në një album, titulli i së cili besohet se do të jetë “Music Of The Spheres”. Ky do të jetë albumi i nëntë i grupit i incizuar në studio dhe pritet të lansohet kah fundi i këtij viti.
Ndërkohë “Coldplay” besohet se do të performojë në ceremoninë e sivjetme “BRIT Awards”, e cila mbahet në fund të këtij muaji. Ndër artistët e tjerë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje janë: Dua Lipa, Pink, Rag’N’Bone Man, Olivia Rodrigo dhe të tjerë.