Me shkronja të mëdha e kishte theksuar në letrën e tij lamtumirëse, trajneri nga Qipro, Antonis Constantinides, se një ditë do të rikthehet te Sigal Prishtina për ta vazhduar punën dhe ashtu ndodhi. Pas gati katër vjetësh, Constatinides e mbajti fjalën e tij. Constantinides javën e shkuar u zyrtarizua si trajner i Sigal Prishtinës, kurse të hënën e nisi punën e tij me ekipin. Ai në krye të Prishtinës ka qenë përgjatë edicionit 2015/16 dhe sukseset nuk i kishin munguar – titulli e kupa e Kosovës si dhe triumfi në Ligën Ballkanike (BIBL).
“I premtoj secilit në Prishtinë se unë do të kthehem për të vazhduar atë që e lamë në gjysmë”, shkruante ndër të tjera në letrën lamtumirëse të Constanditinesit në maj të vitit 2016.
Constanditines la ekipin nga elita e basketbollit të Qipros, Apollon Limassol për t’u rikthyer te Prishtina, me synimin që ta mbrojë titullin e kampionit. 45-vjeçari, në këtë post do të zëvendësojë Teo Hojçin, që dha dorëheqje dhe është trajneri i tretë te Prishtina këtë edicion. Prishtina edicionin e nisi me Bujar Locin, i cili gjithashtu është larguar nga ekipi.
Misioni i vetëm i Constantinidesit këtë edicion është titulli i kampionit, pasi Prishtina nuk ka arritur të fitojë kupën dhe ai ka pranuar se është shumë i lumtur që është rikthyer në krye të ekipit. Trajneri qipriot është optimist për titull, por pranon se aspak nuk do të jetë mision i lehtë për shkak se ka thënë që në garë për titull janë të paktën edhe katër ekipe tjera. Në krye të Prishtinës, Constantinides do të debutojë në ndeshjen që bardhë e kaltrit e luajnë këtë vikend në shtëpi kundër skuadrës së Rahovecit. Njëherësh, kjo ndeshje është vendimtare për pozitën e parë në pjesën e rregullt të këtij edicioni. Aktualisht, Prishtina është lidere në tabelë me 42 pikë të mbledhura, një më shumë se Rahoveci që renditet i dytë pas 24 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani.
“Fillimisht, jam shumë i gëzuar që jam rikthyer te Prishtina, ekipi im i zemrës. Synimi është që ta fitojmë titullin, pasi për fat të keq e kemi humbur kupën. Por, besoj se me triumfin në kampionat do ta kompensonim edhe trofeun e kupës. Kështu që, deri në fund të edicionit, do të japim gjithçka nga vetja për ta arritur këtë sukses”, është shprehur Constantinides për gazetën. “Megjithatë, nuk do të jetë aspak lehtë për shkak të konkurrencës nga ekipet e tjera cilësore: Peja, Rahoveci, Bashkimi e Ylli. Ne duhet të bëjmë shumë gjëra në parket për të mbetur kampion dhe për këtë kemi nevojë edhe për tifozët tanë që na japin forcë shtesë”.
Constantinides ka pranuar se këtë edicion, Superliga e Kosovës është dukshëm më e fortë dhe se tash nis faza më e rëndësishme, në të cilën pritet të ketë ndeshje edhe më interesante dhe rivalitet më të madh.