Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka mohuar kategorikisht zërat që e lidhin me marrjen e drejtimit të kombëtares së Italisë, pas largimit të Gennaro Gattusos nga posti i selektorit.
Emri i Contes është përmendur si një ndër kandidatët kryesorë për stolin e “Azzurrëve”, në një kohë kur kombëtarja italiane po kërkon një drejtues të ri pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, çka çoi në dorëheqjen e Gattusos, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas mediave italiaen, tekniku italian ka reaguar duke e bërë të qartë se aktualisht është i përqendruar vetëm te Napoli dhe nuk ka në plan të marrë drejtimin e përfaqësueses.
“Nuk kam thënë kurrë që jam i gatshëm. Kam ende një vit kontratë me Napolin dhe në fund të sezonit do të flas me presidentin”, është shprehur Conte.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga mediat që të interpretojnë drejt deklaratat e tij, duke paralajmëruar se në të kundërt do të shmangë komunikimin publik.
“Ju bëj thirrje të fortë që t’i interpretoni fjalët e mia saktë. Përndryshe, nëse vazhdojnë të shtrembërohen, nuk do të flas më fare”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, Napoli duket se është pajtuar me pozitën e nënkampionit në Serie A, pas barazimit të regjistruar ndaj Parmës në fundjavë.