Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte thotë se ai e ka pyetur presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump lidhur me gjetjet e inteligjencës, që mund të qëndrojnë pas vendimit të SHBA-së për të rivendosur sanksione ndaj Iranit.
Conte tha se këtë kërkesë ia kishte bërë Trumpit gjatë vizitës së tij në Uashington.
Ai shtoi se Italia është e gatshme të rishqyrtojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të arritur në mes të Iranit dhe fuqive botërore, marrëveshje nga e cila është tërhequr SHBA-ja.
“Nëse e nënshkruani një marrëveshje nuk mund të thoni se nuk jeni të interesuar që të kuptoni nëse ajo është efektive”, tha kryeministri italian.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
Trump në muajin maj njoftoi se Uashingtoni tërhiqet nga kjo marrëveshje. Në mesnatën e 7 gushtit ka nisur së zbatuari vala e parë e sanksioneve amerikane kundër Iranit.