Trajneri i Interit, Antonio Conte, i kritikoi ashpër tifozët e Hellas Veronës të cilët bënë thirrje raciste në drejtim të sulmuesit të Brescias, Mario Balotelli, në përballjen e së dielës, duke i përshkruar ata si “injorantë” dhe “hajvanë”.
Mario Balotelli, i cili ka qenë cak i shumë sulmeve gjatë karrierës së tij, u bë sërish viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët në tribunat e stadiumit gjatë përballjes të së dielës në Seria, në stadiumin Marcantonio Bentegodi në Verona.
Sulmuesi italian reagoi me nervozizëm, duke e goditur topin drejt turmës, para se të bindej të qëndronte në fushën e lojës nga bashkëlojtarët e tij dhe kundërshtarët.
Pasi një deklaratë u lexua në stadium, ndeshja rinisi dhe Balotelli e shënoi një gol në minutën e 85-të, mirëpo skuadra e tij prapëseprapë pësoi disfatë me rezultat 2:1.
“Unë nuk isha në stadium, por besoj se është e nevojshme të jesh shumë i ashpër dhe i pandryshueshëm. Ne duhet t’i dënojmë këta njerëz injorantë. Hajvanët duhet të dënohet”, ka thënë Conte, skuadra e së cilit do të përballet të martën me Borussia Dortmundin.
“Është absurde, që edhe në vitin 2019, ne ende po përballemi me probleme të këtij lloji”.
Në anën tjetër, trajneri i Hellas Veronës, Ivan Juric, e akuzoi Balotellin se po gënjen për thirrjet raciste, duke insistuar se “ky është problemi i tij, e jo i yni”.
“Sot nuk kishte asgjë, asnjë thirrje raciste. Pati fishkëllima në drejtim të një lojtari të mrekullueshëm, por s’pati asgjë të gabuar. Nuk e di pse reagoi në atë mënyrë. Le ta themi kështu, është një gënjeshtër”.
“Ne s’flasim gjepura .Nëse do të kishte ndodhur, unë do ta pranoja edhe nëse do të ishte nga tifozët tanë. Do të isha i neveritur. Por, jo sot. Kur ai e shënoi golin pati shumë fishkëllima. Ishte problemi i tij, jo i yni”.