Coronavirusi si shans për ruajtjen e klimës

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Kriza me koronavirusin ka dëshmuar se bota është e gatshme për ndryshime radikale dhe të shpejta, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të mirën e përgjithshme. Shumica dërmuese e njerëzve kanë shfaqur solidaritet gjatë muajve të fundit dhe kanë pranuar kufizimet, për ta evituar përhapjen e virusit. Kjo gjë ofron një fije shprese se bota, pavarësisht të gjithave, mund t’u bëjë ballë sfidave edhe më të mëdha për ruajtjen e klimës – por vetëm me anë të solidaritetit. Kriza me virusin korona ka ndikuar dukshëm te klima.

Ajri dhe uji në shumë rajone bregdetare janë pastruar, ndërsa emetimi i dyoksidkarbonit ka shënuar rënie në kuota historike. Por, efekti i virusit pritet të jetë afatshkurtër. Ekziston frika madje se pas krizës do të arrihen vlera rekorde të ndotjes së ambientit. Një efekt i tillë “Rebound” është parë pas krizës financiare të viteve 20082009.

Ekonomia dhe klima

Një gjë është padyshim e qartë – virusi nuk do t’i zgjidhë problemet me klimën. Këtë me siguri që nuk e dëshiron askush, kur dihet se çfarë vuajtjesh ka gjeneruar koronavirusi. Andaj, uljen e lirimit të gazrave të dëmshme duhet ta marrë përsipër secili shtet veç e veç. Në vitet në vijim bota duhet të transformojë ekonomitë dhe stilet e jetesës në mënyrë radikale, po qe se kufizimi i rritjes së temperaturave synohet të bëhet realitet.

Shumë ekspertë kanë bërë të ditur se duhet hequr dorë nga doktrina e deritanishme e rritjes ekonomike. Nuk duhet insistuar me doemos që ekonomia të rritet çdo vit mbi prodhimin bruto të vitit të mëparshëm, por duhet bërë reforma tatimore dhe të tregohet kujdes për faktorët tjerë që ndikojnë në ruajtjen e klimës. Taksat në të ardhmen mund të varen jo nga fitimi i sipërmarrjes, por nga shpenzimi i resurseve. Ekspertët mendojnë se sipërmarrjet duhet të kujdesen më shumë për mjedisin dhe se ato duhet të ndihmohen që të dalin nga kriza e tanishme, varësisht nga koncepti i tyre për ruajtjen e klimës. Pa reforma nuk duhet të ketë as ndihma për shpëtimin e ekonomisë. Por, tani po ndodh e kundërta. Bashkimi Evropian ka hartuar një program për shpëtimin e ekonomisë, me vlerë prej 750 miliardë eurosh. E këtij fondi do t’i ndahen edhe më shumë para.

Ndërkohë që klima luan vetëm një rol margjinal. Qëllimi është që të ruhet ekonomia dhe të kthehemi në sistemin e deritanishëm. Në këtë mënyrë po humbet edhe shansi për ndryshime, teksa rreziku nga kthimi në status quo është më i madh, ngase po rrezikohet ekzistenca e vetë planetit. Rrugëdalja apo kthimi mbrapa?

Jeta ka ndryshuar në mënyrë të dukshme gjatë krizës së fundit të shëndetit publik. Puna nga shtëpia ka filluar të zbatohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Njerëzit së fundi kanë kaluar shumë më tepër kohë me familjet dhe më pak në zyrë apo në trafik. Disa, madje, janë marrë me kopshtari dhe mbjellje për herë të parë. Janë përdorur modele të reja të jetesës.

Është shpërfaqur solidariteti me të tjerët. Dhe krejt këto njohuri të reja mund të ndihmojnë në ridefinimin e gjendjes dhe të ardhmes, në aspektin e heqjes dorë nga disa shprehi dhe zbatimin e disa të tjerave. Por, çfarë do të mbetet pas krizës së virusit? A ekziston prapë rreziku i kthimit në një diktaturë konsumi, siç ka paraparë eksperti Niko Paech?

Rreziku është se fare pak njerëz do të reflektojnë dhe shumë shpejt bota do të rikthehet në stilin e vjetër të jetesës. Njeriu mësohet shpejt me gjërat, por edhe mëson shpejt. Nevojitet kohë për të ndryshuar, para se të kalojë tërësisht kriza me koronavirusin. E koha ndërmjet duhet të shfrytëzohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme