Coronavirusi “vret një brazilian në çdo minutë”

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka kërcënuar të premten se do ta tërheqë këtë shtet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pasi që kjo organizatë ka paralajmëruar qeveritë e Amerikës Latine për rrezikun e heqjes së kufizimeve para se të ngadalësohet përhapja e koronavirusit në këtë rajon, raporton Reuters.

Brazili tejkaloi Italinë me numrin e vdekjeve të enjten, por Bolsonaro vazhdon të kërkon heqjen e urdhëresave për izolim, duke thënë se dëmet ekonomike janë më të rënda se sa rreziqet për shëndetin publik.

Shtetet me më së shumti banorë në Amerikë Latine, Brazili dhe Meksika, janë duke përjetuar numrin më të madh të vdekjeve, edhe pse pandemia është duke marrë hov edhe në shtetet si Peru, Kolumbia, Kili dhe Bolivia.

Në përgjithësi, Amerika Latine ka mbi 1.1 milionë të infektuar. Gjersa udhëheqësit e shteteve tjera e kanë marrë pandeminë pak më seriozisht se sa Bolsonaro, disa politikanë që kanë mbështetur kufizimet strikte në mars dhe prill, tani janë duke kërkuar hapjen e ekonomive ngase uria dhe varfëria është në rritje në këto shtete.

Një editorial në ballinën e gazetës Folha de S.Paulo, ditorja braziliane, shkroi se kanë kaluar vetëm 100 ditë që nga dita kur Bolsonaro e përshkroi virusin si “grip i lehtë”, virus i cili po “vret një brazilian çdo minutë”.

“Gjersa jeni duke e lexuar këtë, edhe një brazilian vdiq nga koronavirusi”, shkroi gazeta.

Me më shumë se 35,000 jetë të humbura, pandemia ka vrarë më shumë njerëz në Brazil se sa kudo tjetër në botë, jashtë Britanisë dhe SHBA-së.

Kur u pyet për lehtësimin e masave të distancimit social në Brazil pavarësisht rritjes së numrit të të vdekurve, zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Margaret Harris tha se kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve ishte ngadalësimi i infektimeve.

“Epidemia, shpërthimi i saj në Amerikën Latine është tepër brengosës”, tha ajo, duke shtuar se njëri nga gjashtë kriteret për lehtësimin e karantinës ishte rënia e infektimeve.

Duke komentuar para gazetarëve, Bolsonaro tha se Brazili do të konsideron largimin nga OBSH, nëse kjo organizatë “nuk ndalon së qeni një organizatë e njëanshme politike”

Shpërfillja e Bolsonaros ndaj rrezikut të koronavirusit për shëndetin publik, dhe përpjekjet e vazhdueshme që të heqë karantinën, kanë tërhequr shumë kritika nga spektri politik në Brazil, të cilët thonë se presidenti është duke e përdorur krizën për të shkelur institucionet demokratike të këtij shteti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme