Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mohuar të jetë interesuar specifikisht për aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi, në vizitën bërë Dhomave të Specializuara në javën kur Thaçi për katër ditë rresht u mor në pyetje.
Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Cramon ka thënë se vizita, e cila u realizua një ditë pasi Thaçi përfundoi intervistimin në Hagë, ka qenë e planifikuar shumë kohë më parë. Teksa ka folur për aktakuzat, eurodeputetja gjermane ka theksuar se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për krimet që ka mandat t’i trajtojë Gjykata Speciale.
“Ishte një vizitë e planifikuar qe një kohë të gjatë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (SPO) dhe Dhomat e Specializuara. Nuk kam pasur qëllim të pyes për ndonjë rast specifik. Pra, natyrisht është shumë e rëndësishme që SPO të mos ndajë asgjë publikisht ose privatisht, sepse të gjitha informacionet që do të rrjedhin mund ta komprometojnë çështjen. Është e rëndësishme të theksohet se, në radhë të parë ishte presidenti Thaçi, i cili vendosi të flasë publikisht për intervistën e tij”, ka thënë Cramon.
“Prokurori i Specializuar ka intervistuar me dhjetëra nëse jo me qindra persona gjatë muajve dhe javëve të fundit, por në periudhën paragjyqësore ata mbledhin informacione dhe nuk i ndajnë ato publikisht”.
E pyetur nëse Thaçi është intervistuar në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të nga koha e luftës apo nëse po zhvillohet hetim tjetër për shkak të përpjekjeve për ta minuar punën e Gjykatës Speciale, Cramon ka përsëritur se nuk ka pyetur në lidhje me akuzat..