CSR Kosova ndan çmimet vjetore, inkurajon aktivitetet e përgjegjshme ndaj shoqërisë

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 21:09 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti i Kosovës për Përgjegjësi Shoqërore Korporative (CSR Kosova) ka mbajtur mbrëmjen vjetore, me ç’rast janë ndarë dhe çmimet për disa nga anëtarët.

Linda Tahiri-Rukiqi, drejtore Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, duke folur për parimet bazë të CSR-së, ka treguar se një nga kushtet kryesore për t’u anëtarësuar në këtë rrjet është që kompanitë të ndërmarrin aktivitete të përgjegjshme dhe vullnetare ndaj shoqërisë.

“CSR është bërë një adresë në të cilën shoqëria po adreson çështjet sociale, por edhe çështje të tjera”, tha Tahiri-Rukiqi, raporton Ekonomia Online.

“Përgjegjësia Shoqërore Korporative ndikon në çështjet sociale e mjedisore. Është mekanizëm i rëndësishëm që shoqëria t’i adresojë çështjet që kanë rëndësi”.

Ajo ka treguar se CSR Kosova është përfshirë në disa projekte që kanë për qëllim fuqizimin e rinisë, përfshirë trajnimin e të rinjve për punë, si dhe mbështetjen e personave me nevoja të veçanta.

Krahas anëtarëve të CSR Kosova, në këtë ngjarje merrnin pjesë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, kujtoi herën e parë kur dëgjoi se ekzistonte një organizatë e tillë, duke thënë se CSR ka informuar dhe ndihmon në përhapjen e vlerave dhe parimeve të të bërit biznes.

“Për mu ishte një lloj rikthimi në vitet 1990-të kur isha i vendosur në Austri për studime dhe për herë të parë e kisha hasur termin gjerman. Kur për herë të parë dëgjova ka qenë ndër gjërat më interesante që kam dëgjuar”, tha ai.

“Si njeri që kam qenë gjatë në qeveri tregon se sa të painformuar kemi qenë edhe ne sesa punë të mëdha bën biznesi në Kosovë”.

“Jemi mbledhur që ta rivendosim në fokus rëndësinë që ka përgjegjësia shoqërore, çfarë parimesh ndjek, çfarë filozofie ka për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh Hoxhaj.

“Kam qenë pothuajse 7 vjet ministër. Kudo që kam shkuar më është dashur të lexoj shumë dhe më është dashur të shoh cilat janë parametrat që t’i kuptojmë vendet e mëdha. Disa janë të mëdha për shkak të ekonomisë, disa për shkak të numrit të banorëve, por vendet të cilat më është dashur të përgatitem mirëfilli kanë qenë ato ku mosha mesatare ka qenë më e lartë”.

Një nga prioritetet që anëtarët e CSR Kosova ia kanë caktuar vetes është dhe kontributi për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Agjendës 2030 të OKB-së.

Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim, tha se sektori privat është ai i cili ka bërë ndryshimin e madh në botë, duke tejkaluar edhe krizat financiare të viteve të kaluara nëpër botë.

“Shumë kompani në njërën anë hezitojnë të investojnë, por në anën tjetër shohin se konsumatorët kërkojnë më shumë se fitime tek ta. Shohin se te konsumatorët duan të dinë se ajo çka blejnë a është e prodhuar me qëndrueshmëri, a është etike; nuk duan të blejnë në atë kompani kur e dinë që punëtorët janë keqtrajtuar. Mendoj që po shohim një botë ku është bërë një ndryshim i madh veçanërisht sektori privat duhet të shihet brenda atij që është bërë ndryshim”.

Richardson theksoi se edhe qeveria luan një rol të madh në këtë drejtim. “Kosova ka një sektor privat shumë dinamik”.

Në fund u shpërndanë dhe çmimet për disa nga anëtarët e CSR Kosova. Çmimi i nderit “Appreciation Award” iu dha ish-drejtorit të kompanisë “Sharrcem”, Emmanuel Mitsou.
Ndërsa shpërblimi kryesor iu dha kompanisë “Meridian” dhe drejtorit të saj, Agon Gashi.

Gashi u shpreh krenar për marrjen e këtij çmimi. Ai tha se në të bërit biznes e rëndësishme është të ndërtohet një vend i mirë për të gjithë.

“Si familje dhe si biznes besojmë se në vendin ku operon duhet edhe me kontribu. Nuk është qëllimi kryesor profiti, por ta ndërtojmë një sistem ku prej tij përfitojmë dhe ndërtojmë një vend më të mirë për gjithsecilin”, u shpreh Gashi.

Aktualisht, CSR Kosova ka 19 kompani anëtare, përfshirë bankat Raiffeisen e Pro Credit, dhe ky numër pritet të rritet, pasi sipas drejtuesve, ka interesim dhe nga kompani të tjera, që të japin kontribut për shoqërinë.

Të ngjashme