Curr Gjocaj rizgjidhet drejtor nga Bordi me mandat të skaduar

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 21:38 | Nga

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka marrë mandatin e dytë për të udhëhequr me spitalet e vendit. Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur vetë drejtori i ShSKUK-së, Curr Gjocaj.

Gjocaj tha se Bordi Drejtues, që është organi më i lartë vendimmarrës i ShSKUK-së, i ka dhënë atij mandatin e dytë trevjeçar pas shqyrtimit të performancës së tij, e cila është vlerësuar pozitive. Sipas tij, vlerësimi është bërë në mënyrë të pavarur.

“Vlerësimi i indikatorëve të performancës është kryer në mënyrë të pavarur më vlerësim personal nga secili prej anëtarëve të Bordit Drejtues veç e veç”, deklaroi ai.

Por, Bordit që i ka dhënë edhe një mandat Curr Gjocajt i ka skaduar mandati qe disa muaj.

I kontaktuar ditë më parë nga KALLXO.com, kryesuesi i Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Metush Disha, ka thënë se Bordi ndonëse është në largim është duke i kryer punët sikur e ka bërë gjithë kohën, ndërsa për emërimin i Bordit tha se është kompetencë e kryeministrit.

“Kjo është kompetencë direkte e kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës. Bordi aktual në detyrë me kohë ka dorëzuar një shkresë tek sekretari i Qeverisë lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Të ngjashme