D+ publikon raportin për vaksinimin në Kosovë, e vlerëson të nevojshme marrjen e dozës së tretë

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Demokracia Plus ka publikuar raportin “Mes vaksinimit dhe mbrojtjes nga infektimi me COVID-19.

Në këtë raport është analizuar raporti mes vaksinimit dhe mbrojtjes nga infektimi me COVID-19 që fitohet me anë të vaksinimit.

Sipas D+, në punim konstatohet se marrja e dy dozave të vaksinës (apo vaksinimi i plotë) nuk do të thotë që personi i vaksinuar nuk mund të infektohet nga COVID-19. Por, vaksinimi në shumicën e rasteve ofron mbrojtje nga simptoma të rënda dhe shtrimit në spital si pasojë e COVID-19.

“Marrja e dy dozave të vaksinës (apo vaksinimi i plotë) nuk do të thotë që personi i vaksinuar nuk mund të infektohet nga COVID-19. Pra, ka mjaft raste kur edhe personat që kanë marrë dy dozat e vaksinës janë infektuar apo ri-infektuar me COVID-19. Megjithatë, vaksinimi në shumicën e rasteve ofron mbrojtje nga simptoma të rënda dhe shtrimit në spital si pasojë e COVID-19”, thuhet në raport.

Nga D+ kanë thënë se përveç marrjes së dy dozave të vaksinave, me paraqitjen e variantit të ri të COVID-19 i quajtur ‘Omicron’ në dhjetor të këtij viti, është rritur nevoja për të përforcuar imunitetin e personave tashmë të vaksinuar duke e marrë edhe dozën e tretë.

“Për t’u mbrojtur nga COVID-19 është e nevojshme vaksinimi i plotë (me dy doza) por tashmë edhe me dozën e tretë për personat me imunitet të dobët apo me sëmundje shoqëruese. Edhe nëse vaksinat nuk ofrojnë mbrojtje totale nga infektimi me COVID-19, ato ulin mundësinë e shtrimit në spital si dhe sëmundjes në formë të rëndë. Mirëpo, vaksinimi nuk do të thotë mos përdorimin e maskave dhe mbajtjen e distancës prej 1.5 metra. Pra, respektimi i rekomandimeve nga ekspertët shëndetësor dhe i masave të vendosura nga Qeveria, duhet të aplikohen pa përjashtim nga personat e vaksinuar njësoj si për ata të pa vaksinuar. E gjitha kjo për ruajtjen e shëndetit individual dhe kolektiv nga COVID-19”, thotë raporti.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme