Instituti D4D iu ka bërë thirrje të gjitha koalicioneve dhe subjekteve politike që kanë qenë pjesë e garës elektorale në zgjedhjet e 11 qershorit që të respektojnë afatet ligjore të dorëzimit të raporteve të Deklarimit Financiar të Fushatës Elektorale tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas këtij instituti, ligji për financimin e subjekteve politike, përcakton qartazi afatet ligjore në të cilat duhet të raportojnë subjektet politike, afat ky i cili skadon më 26 korrik.
“Instituti D4D i’u rikujton subjekteve politike për zotimet e marra me rastin e nënshkrimit të deklaratës për rritjen e transparencës financiare mundësuar nga Instituti D4D me 29 maj 2017, duke u bërë thirrje që raporti financiar i shpenzimeve gjatë fushatës elektorale të bëhet publik edhe në faqet e tyre elektronike dhe të jenë në dispozicion për publikun e gjerë, duke e dëshmuar vullnetin e tyre për transparencë dhe llogaridhënie”.
” Publikimi me kohë i raporteve financiare të partive politike në Kosovë, është në interes të procesit të demokratizimit, dhe çdo pranim dhe shpenzim i parasë nga partitë politike duhet t’i nënshtrohet mekanizmave mbikëqyrës për të siguruar që paratë janë menaxhuar në harmoni me ligjet në fuqi që rregullojnë këtë fushë”, theksohet në një kumtesë për media të D4D.