Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë në Toronto, Kanada, se Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, por ka paralajmëruar se në këtë rrugë ka shumë probleme, sidomos kushtëzimet e BE-së.
“E dini se dëshirojmë të shkojmë kah BE-ja, por e dini që në këtë rrugë ka shumë probleme, veçanërisht kushtëzimet e BE-së të cilat për ne janë mjaft të paparashikueshme, shpesh ndryshojnë dhe shumë shpesh ndërlidhen me pikën tonë më të dhimbshme, e kjo është Kosova, përkatësisht integritetit dhe sovranitetit tonë territorial”, ka thënë Daçiq gjatë një pritjeje që i është bërë në konsullatën e Serbisë në Toronto.
Daçiq ka shtuar se për Serbinë është me rëndësi që të gjejë sa më shumë miq nëpër botë, por edhe t’i ruajë miqtë që i ka deri më tani.
“Kjo nënkupton se nuk guxojmë që në llogari të rrugës për në BE të prishim raporte me ndonjë prej miqve tanë tradicionalë, siç janë Rusia e Kina, pasi që ata neve na përkrahin në OKB në raport me Kosovën”, ka shtuar Daçiq.
Shefi i diplomacisë serbe ka folur edhe për raportet Serbi-Kanada, duke potencuar se kanë raporte shumë të mira.