Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ka reaguar rreth deklarimit në NATO zyrtarë të të cilit hyrjen e Marko Gjuriqit në Kosovë më 26 mars e kanë quajtur ilegale.
Daçiq, duke pyetur nëse “hyrja ilegale” është deklaratë zyrtare e NATO-s, kjo, sipas tij, është përpjekje e kahershme për fajësi simetrike “të gjithë jemi nga pak fajtorë”.
Më pas ai e ka “qortuar” Aleancën ushtarake veriatlantike për cilësimin e aksionit të policisë së Kosovës, transmeton Koha.net.
Të dielën ishte njoftuar se NATO kishte lavdëruar veprimin e njësisë speciale të Kosovës në Mitrovicë kur ishte arrestuar e më pas liruar drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq.
Daçiq është habitur me këtë kualifikim duke bërë krahasimin e deklaratës së ministrit të Punëve të jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli dhe zyrtarëve të NATO-s për rastin.
“Pasi Pacolli ka thënë se i vjen turp çfarë i kanë bërë Marko Gjuriqit, nuk e di pse kështu nuk ka thënë edhe NATO”, citon “blic” i Beogradit të ketë thënë Daçiq.
Ai pasi ka përkujtuar se gjatë bisedimeve në Bruksel ka pasur garanci se forcat të armatosura nuk mund të futen në veri pa lejen e KFOR-it dhe pa njoftimin e kryetarëve të komunave veriore, Daçiq ka thënë: “Kjo dhe kështu nuk ka ndodhur. Këtë vërejtje edhe e kemi bërë pas arrestimit të Marko Gjuriqit më 26 mars”.